Në një bashkëbisedim miqësor me gazetaren britanike Alice Taylor, në podcastin “Flasim”, Kryeministri Rama, u ndal edhe në një prej artikujve të saj kritikë mbi emigrimin e shqiptarëve.
Kryeministri e njohu gazetaren britanike me shifrat reale të largimit të shqiptarëve në vitin 2019, duke shtuar se përveç shqiptarëve që largohen, kemi edhe dimensionin e shqiptarëve që kthehen.
Kryeministri Edi Rama: Për shembull, në një prej shkrimeve tuaja – të cilat më duhet ta pranoj, janë të sakta kur mbështeten në fakte, pra është shumë e vështirë që t’ju kapësh në gabim lidhur me faktet, po jo aq e vështirë t’ju kapësh gabim në shprehjen e opinioneve, por opinionet janë të lira e legjitime gjithësesi – ju thoni “në 2019, 360.699 persona u larguan nga vendi, e barazvlershme me 12.4%”. Kam këtu të dhënat, i kam sjellë sepse është e rëndësishme që të përpiqemi t’i ndajmë këto të dhëna në çdo rast që kjo temë diskutohet.
Në 2019, personat që u larguan nga vendi ishin në fakt 43.850 dhe nga ana tjetër, ka shumë rëndësi edhe një dimension tjetër, përveç atyre që largohen e që padyshim janë më të shumtë se ata që kthehen, kemi megjithatë edhe ata që kthehen. Janë të kthyer nga vite të gjata emigrimi apo të kthyer nga përpjekje të dështuara për të emigruar.
Më tej Rama pyeti gazetaren Taylor nëse ka një forcë të mundshme që mund ta ndalë këtë trend historik?
Alice Taylor: Po, në mënyrë që gjërat të bëhen më mirë na duhet të kuptojmë se çfarë e nxit problemin dhe nuk mendoj se kjo është tërësisht e qartë. Mendoj se ka shumë e shumë faktorë të ndryshëm që luajnë rol këtu, si për shembull besoj që nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit që besojnë se ata nuk mund të gjejnë një punë të mirë këtu dhe paga nuk është e lartë mjaftueshëm dhe që nuk ka mundësi të mjaftueshme. Natyrisht i dëgjoj këto arsye, por mendoj që është një çështje më e thellë në themel të të gjitha këtyre dhe ka të bëjë me atë çka ndodhi në fund të komunizmit, e me atë çka ndodhi në 1997-ën. E shoh ndoshta nga pikëpamja e një personi të jashtëm, por mendoj se ka mbetur një plagë mjaft e hapur në shoqërinë shqiptare nga ajo çka ka ndodhur në të shkuarën. Dhe mendoj që në një farë mënyrë kjo i është përcjellë brezave të rinj dhe të rinjve dhe mendoj që kjo ushqen një lloj ndjesie tëhuajsimi, duke qenë se nuk ka një pajtim të vërtetë, çka çon në ndjesinë e shkëputjes së njerëzve nga vendi. Janë të zhgënjyer, dëgjojnë prindërit e tyre që ankohen dhe e ndiejnë këtë lloj dëshpërimi në njëfarë mënyre. Dhe mendoj që kjo është diçka që e kombinuar me të gjithë faktorët e tjerë, që natyrisht ka të bëjë dhe me dëshirën e njerëzve për të emigruar sidoqoftë apo me faktorët ekonomikë e me punën, i shtohet asaj çfarë kemi në Shqipëri për momentin.
“MIRËMËNGJES 😊
dhe me “I Love Albania”, Episodi 2 i Sezonit 1 të podkastit FLASIM, një bisedë me gazetaren britanike Alice Taylor, banore e Tiranës e dashuruar me Shqipërinë, po shumë e sertë me qeverinë, të cilën mund ta dëgjoni duke klikuar https://open.spotify.com/episode/4gvfsagqflHCzQXWkJXRmn?si=3l1XC1XXRTCcQfTICqKVQQ apo shihni duke klikuar https://youtu.be/dfn89jtWeZU, ju uroj një fundjavë të mbarë🙏:, shkruan Rama.