Me kontratën që i skadon në fundin e sezonit dhe me asnjë sinjal për rinovinim, mund të thuhet Messi dhe PSG do të ndajnë rrugët në fund të sezonit. 7 herë fituesi i Topit të Artë ka refuzuar çdo marrëveshje që drejtuesit e PSG i kanë ofruar dhe kështu Messi mund të jetë lojtar i lirë pas qershorit.

Në këtë situatë, Barcelona po “fërkon duart”. Drejtuesit “blaugrana” janë në pritje të vendimit që do të marrë argjentinasi. Me zërat në Spanjë që shtohen çdo ditë për rikthimin e argjentinasit, ka reaguar dhe trajneri i Realit të Madridit, Carlo Ancelotti.

“Messi mund të bëjë ç’të dojë. Nuk më takon mua të flas. Do të më pëlqente që të rikthej në Spanjë për të mirën e futbollit këtu. Mua më pëlqen shumë si lojtar. E theksoj, është një marrëveshje midis tij dhe Barcelonës,” e mbyll trajneri italian. Dëshira e katalanasve është tepër e madhe, por problemet financiare dhe me regjistrimet e lojtarëve në La Liga e vështirëson shumë rikthimin e “Pleshtit” në Katalunjë.