Policia e Kukësit arrin të zbulojë se njeriu që ka prishur posterat Safet Gjicit është nënkryetari i PD-së për bashkinë, Rrahman Dema. Policia bën të ditur se janë dy autorët e proceduar për këtë çështje.
Siç bëhet e ditur në njoftim, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, pasi kanë marrë njoftim se rreth orës 12:00, në qytetin e Kukësit, shtetas të paidentifikuar kishin dëmtuar 2 postera të një subjekti politik, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje.
Falë informacioneve të marra në rrugë operative, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar. Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës proceduan penalisht shtetasit R. D., dhe S. C., të dy banues në Kukës, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.
Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.