Franca po përpiqet të minimizojë pasojat diplomatike të komenteve të Presidentit Emmanuel Macron se Evropa duhet të ulë varësinë nga Shtetet e Bashkuara dhe të shmangë ‘përfshirjen në kriza që nuk janë tonat’, pas një vizite shtetërore në Kinë në fillim të këtij muaji. Presidenti francez Emmanuel Macron shkoi në Pekin për të kërkuar ndihmën e Kinës për t’i dhënë fund agresionit rus të Ukrainës. Kina nuk shprehu ndonjë premtim në këtë drejtim. Por zoti Macron më vonë shkroi në Twitter: “Rroftë miqësia midis Kinës dhe Francës.” Kina e përshkroi vizitën si “të suksesshme dhe pozitive”. Vetëm disa ditë më vonë, ushtria kineze kreu manovra me zjarr të drejtpërdrejtë përreth Tajvanit – të cilin Pekini e pretendon si pjesë të territorit të tij.
Në Francë, zoti Macron tha se Evropa duhet të formulojë politikën e saj për Kinën – në vend që të ndjekë rrugën e aleatit të saj transatlantik, Shteteve të Bashkuara. “Franca është për status quo-në në Tajvan. Franca mbështet politikën e një Kine dhe kërkimin për një zgjidhjeje paqësore të situatës. Ky është, për më tepër, qëndrimi i evropianëve dhe është një pozicion që ka qenë gjithmonë në përputhje me rolin e aleatit. Por pikërisht këtu unë insistoj në rëndësinë e autonomisë strategjike. Të jesh aleat nuk do të thotë të jesh vasal”. Këto komente shkaktuan reagime – veçanërisht në Evropën Lindore. Ministri i Jashtëm çek u përgjigj duke thënë se marrëdhëniet e forta transatlantike janë themeli i sigurisë së Evropës.
Momenti i zgjedhur për komentet nuk ishte i menduar mirë, thotë ish-ambasadori francez në SHBA, Gerard Araud, tani në Këshillin Atlantik. “Ne po luftojmë tani – të gjithë së bashku, pas amerikanëve – po luftojmë agresionin rus në Ukrainë. Dhe unë e kuptoj se për shumë nga partnerët tanë, nuk ishte momenti i duhur, për të ngritur çështjen e aleancës sonë transatlantike”. Kritikët thonë se komentet e presidentit Macron rrezikojnë ta minojnë aleancën.
“Konfirmoi mendimin kinez se është e mundur të krijohet një çarje midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës”, thotë Liana Fix me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë. Në vazhdën e stuhisë diplomatike që shpërtheu, një delegacion nga parlamenti francez vizitoi Tajvanin javën e kaluar për ta siguruar për mbështetjen franceze. Mes luftës së Rusisë ndaj Ukrainës – dhe tensioneve në rritje mes Perëndimit dhe Kinës – disa argumentojnë se zoti Macron po përpiqet të shmangë një konfrontim më të gjerë.
“Kina po kërkon një botë shumëpalëshe. Dhe Macroni vjen dhe thotë: ‘OK, nëse nuk armatos Rusinë, ne mund të jemi Franca dhe të pretendojmë se nuk jemi vasalë të SHBA-së, ne mund të pretendojmë se jemi të gjithë palë të ndryshme, se kemi ndjeshmëritë tona ndaj politikës së një Kine dhe të gjitha këtyre çështjeve’, thotë Renaud Foucart me Universitetin Lancaster. Zgjedhjet e vitit 2024 në SHBA mund të shohin një president më pak të prirur se Joe Biden për të mbrojtur Evropën. “Mendoj se debati do të rihapet me forcë. Evropianët që duan të flenë nën flamurin amerikan do të jenë të detyruar të zgjohen”, thotë Gerard Araud me Këshillin Atlantik. Ndërkohë analistët thonë se aleanca e Britanisë me Australinë dhe Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë ta përfshijë Londrën në çdo konfrontim në Indo-Paqësor.