Christophe Galtier mund të mos e përfundojë sezonin si trajner i Paris Saint-Germain. Eliminimi në Champions nga Bayerni i Mynihut la një plagë të hapur, që nuk është shëruar ende, dhe, pavarësisht se ka kontratë deri në vitin 2024, trajneri 56-vjeçar francez nuk do të mund ta mbajë vendin e punës vetëm me titullin kampion në Ligue 1. Në fakt, edhe ky objektiv është në rrezik, pasi skuadra është vetëm gjashtë pikë përpara skuadrave të tilla si Lens dhe Marseille.
RMC Sport shkruan se ndeshjet e radhës të parisienëve, kundër Nice dhe Lens, do të jenë vendimtare për trajnerin, i cili humbi dy të fundit në Ligue 1, kundër Lyonit dhe Rennes, të dyja në shtëpi.
Nëse rezultatet nuk do të jenë të kënaqshme, Galtier mund të shkarkohet menjëherë dhe PSG do të detyrohet të gjejë një zgjidhje urgjente për të përfunduar sezonin.
Dy humbje e fundit e kanë futur në krizë PSG-në, me drejtuesit që kanë nisur planifikimin e sezonit të ardhshëm pa Galtier.