Rrugët e PSG dhe Lionel Mesi do të ndahen këtë verë. Afrimi i bujshëm i argjentinasit në fund ishte një flluske sapuni pasi nuk ndryshoi shumë gjëra në historinë e klubit i cili fitonte pa të në Francë dhe do të vazhdojë të jetë dominues në kampionatin vendas edhe me largimin e tij.
Nëse më parë largimi i tij pa rinovuar kontratën për vitin e tretë ishte një thashethem, tani gjen mbështetje edhe të një gazetë franceze shumë pranë klubit, “Le Parisien”. Kjo e fundit ka bërë të ditur se klubi parisien ka nisur të mendojë për vitin e ardhshëm duke programuar skuadrën e re pa e vlerësuar argjentinasin pjesë të saj.
PSG i ka bërë ofertë argjentinasit që të rinovojë për të paktën edhe një edicion, me të njëjtat kushte financiare të kontratës fillestare. Por ky i fundit raportohet se kërkon më shumë para dhe kjo ka bërë që PSG të tërhiqet, duke e menduar të larguar tashmë futbollistin argjentinas.