Futbollisti senegalez, Sadio Mane është dënuar me gjobë prej më shumë se 300 mijë euro nga Bayern Munchen. Kjo gjobë e majme ndaj tij vjen si pasojë e goditjes që Mane bëri ndaj shokut të tij të skuadrës, Leroy Sane.

Senegalezi ka goditur me grusht në fytyrë Sane-n pas humbjes së bavarezëve me rezultatin 3-0 përballë Manchester City-t.

Pas rastit të dhunës, Mane u pezullua nga Bayern për ndeshjen e rradhës që u zhvillua të shtunën ndaj Hoffenheimit në Bundesligë.

Gazetari nga “Sky”, Florian Plettenberg, që është edhe i afërt me klubin gjerman, ka raportuar se 31-vjeçari është gjobitur me më shumë se 300 mijë euro.

Nuk dihet ende pse ka nisur sherri mes dy shokëve të skuadrës, por deri më tani në media është raportuar se Sane ka lëshuar fyerje racore ndaj Mane-s.