Si një parashikues i ngjarjeve, Ançeloti para takimit, në konferencën për shtyp, deklaronte se ishte radha e “los blancos” për të fituar një “Klasike” pas tri humbjesh radhazi (Superkupë, ndeshja e vajtjes në Kupën e Mbretit dhe La Liga). Në fund Karlo është hakmarrë ndaj Ksavit, duke e bërë plot stil.

Një sukses historik 0-4 që i ka siguruar Madridit një vend në finalen e Kupës së Mbretit kundër Osasunës më 6 maj. Një hakmarrje pse jo edhe për 0-4 të pësuar ndaj Barcelonës një vit më parë në La Liga. Duke komentuar suksesin në “Camp Nou”, trajneri italian i Realit ka vlerësuar paraqitjen e shkëlqyer të skuadrës që ai drejton.

“Kemi bërë një ndeshje të madhe, kemi qenë të kompletuar në çdo drejtim. Vetëm kështu mund të fitosh 0-4 në këtë fushë, në këtë stadium. Gjithsesi nuk ka qenë dhe aq e lehtë sa rezultati e tregon. Kemi pasur vështirësi në daljen me top, sidomos në pjesën e parë. Unë mendoj se goli i Viniciusit në fundin e pjesës së parë ndryshoi të gjithë dinamikën e ndeshjes. Në tërësi ka qenë një ndeshje me personalitet nga ana jonë. Pastaj eksperienca ka bërë të vetën, ka rezultuar vendimtare. Energjia e të rinjve dhe eksperienca e veteranëve ishin çelësi i fitores. Më vjen mirë që gjej Osasunën në finale. Ia pata thënë trajnerit të tyre në shkurt me shaka. Por ndonjëherë shakatë dalin të vërteta. Mendoj se meritojmë një festë të vogël pas këtij triumfi, sepse ishte shumë e rëndësishme arritja në finale”, ka thënë Ançeloti pas ndeshjes.