Ish-trajneri i famshëm anglez, Harry Redknapp ka parashikuar se Harry Kane mund të ribashkohet me Mauricio Pochetinon në verë, kur ky i fundit të marrë drejtimin e Chelseat. E ardhmja e sulmuesit vijon të mbetet e paqartë dhe në merkaton e verës 29-vjeçari mund t’i japë fund një aventure 19-vjeçare me Tottenhamin, që kur iu bashkua në akademi. Manchester United, Bayern Munich dhe Real Madrid, kërkesat janë të shumta për Kane, që do të duhet të vendosë shpejt se cilës skuadër do t’i përkushtojë të ardhmen.
Megjithatë, një trajner si Redknapp, që e njeh mirë botën e futbollit dhe që ka drejtuar edhe Tottenhami në të kaluarën, thekson se Kane është një njeri familjar dhe nuk do të kishte kuptim për të që të transferohej diku jashtë Londrës. ‘’Do të ishte vërtet interesante nëse Pochetino i bashkohet Chelseat. Jam i sigurt që një kalim i tillë nuk do të pritet mirë nga tifozët e Tottenhamit. Por do të bënte shumë sens nëse Harry Kane do të transferohej tek Blutë, ku do të ribashkohej me ish-trajnerin e tij, Pochetinon.
Harry është një njeri familjar dhe nuk do të donte të transferohej diku jashtë Londrës, kështu që Chelsea dhe Harry Kane thjesht bën sens.’’ Harry Kane ka një kontratë me Tottenham Hotspurs deri në vitin 2024 dhe drejtuesit e Spurs po bëjnë çmos që të bindin sulmuesin rekordmen që të rinovojë me skuadrën e tij të fëmijërisë, në mënyrë që të mos e humbasin me parametra zero në vitin e ardhshëm. Por, një skenar i tillë duket shumë i vështirë në këto momente, me Harry Kane që ka shumë oferta mbi tavolinë që padyshim e joshin dhe i japin mundësinë të jetë i suksesshëm dhe të fitojë trofe.