Goce Sedloski u zyrtarizua mbrëmjen e së hënës si trajneri i ri i Vllaznisë duke zëvendësuar në këtë post Mirel Josën. Klubi shkodran zyrtarizoi arritjen e marrëveshjes me teknikun maqedonas, duke nënshkruar një kontratë që e mban të lidhur me klubin kuqeblu deri në përfundim të sezonit të ardhshëm 2023-2024.

Eksperienca e fundit e Goce Sedloski ishte me Shkupin në Maqedoninë e Veriut, ku në edicionin e shkuar arriti që të fitonte titullin kampion, ndërkohë që pati një aventurë të suksesshme dhe në Kupat e Europës, duke shkuar deri në Play-Off të Conference League, ku u eliminua nga Ballkani.

48-vjeçari po ashtu ka fituar dhe dy tituj të tjerë me Vardarin në periudhën 2015-2017, ndërkohë që në Maqedoni ka drejtuar dhe Turnovon. Po ashtu, ai ka drejtuar në një ndeshje dhe përfaqësuesen maqedonase, në përballjen miqësore me Lituaninë të fituar 1-0 në gusht të vitit 2012. Sedloski, në kohën kur ishte pjesë e Vardarit është përforlur shpesh për raportet jo shumë të mira me shqiptarët. Megjithatë, 48-vjeccari është treguar i përmbajtur në daljet e tij publike. Sa i takon eksperioencave në Europë ka drejtuar gjithashtu Riga në Letoni, Siroki Brijeg në Bosnje dhe skuadrën e dytë dhe atë të moshave të Dinamo Zagreb në Kroaci.

Kjo është aventura e parë për Sedloskin në Shqipëri, i cili ka si synim primar arritjen e zonës europiane. Kuqeblutë ndodhen aktualisht në vendin e katërt me 38 pikë, 3 më pak se Egnatia e vendit të tretë. Po ashtu, shkodranët do të përballen në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë me rrogozhinasit, në synimin e tyre për të ruajtur trofeun që e fituan sezonin e shkuar në finalen me Laçin.