Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në Neës24 foli për zgjedhjet e 14 majit dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Ai tha se ish-kryeministri Sali Berisha mund të ketë në plan t’i trashëgojë Partinë Demokratike kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Gazetarja: Janë dy kandidatë të së djathtës, njëri me zyrtaren, tjetri me jo zyrtaren…

Bejko: Tjetri me LSI dhe Partinë Komuniste. T’i vëmë emrin siç e ka, se atyre nuk u erdhi turp t’i vënë emrin. Ne na vjen turp t’ua përmendim. Janë në koalicion me LSI dhe Partinë Komuniste. A e dini pse? Sepse Sali Berisha, Ilir Metën e shikon si njeriun më të besuar sot dhe ka mundësi që PD, pjesën e PD që ka marrë me vete, t’ia trashëgojë Ilir Metës dhe Ilir Meta, doni apo jo ju, rezultatin do e zgjedhë kështu. Sepse a do shkojnë të votojnë këta demokratë që i ka marrë Saliu me vete? Do shkojnë. Çfarë do nxjerrin ata në fund? Do nxjerrin Këshillin e Bashkisë dhe diku do fitojë kryetar, diku nuk do fitojnë, por Këshilli i Bashkisë do i japë një peshë Ilir Metës, një peshë politike dhe publike, sepse do marrë numra që s’i ka realisht në partinë e tij, por do i marrë për shkak të votave që do çojnë demokratët aty. Ata që ndjekin Sali Berishën flas.