Kandidati i Partisë Socialiste në Pogradec, Ilir Xhakolli zhvilloi një takim me artistët, të cilët veprojnë në fushën e pikturës, muzikës, letrave etj. Në diskutimin e bërë me ta Xhakolli ka përmendur disa prej projekteve që janë zbatuar në 4 vitet e kaluara në funksion të turizmit dhe artit si Odoeonin e qytetit, sheshin e trëndafilave deri tek program veror 100 ditë në Pogradec.

Xhakolli theksoi se në 4 vitet e ardhshme duhet krijuar një grupim mes artistëve të cilët duhet të japin opinionin dhe mendimin e tyre në lidhje me projektet të cilat bashkia ka ideuar në vazhdimësi. Projekti më kryesor në shërbim të kësaj fushe do të jetë një “Galeri Arti” në natyre, e cila do të nisë nga puna së shpejti dhe do të jetë në krah të Odeonit.

“Çdo zhvillim që do të ketë Pogradeci duhet marrë një vendim në bashkëpunim me ju. Pa u konsultuar me ju nuk do të zhvillojmë një projekt. Nuk është e thënë që idetë e mia t’i përshtaten qytetit ndaj do marrim vendime bashkë me artistët, arkitektët apo të tjerë në fushën e tyre. Jemi duke biseduar me artistët për një galeri arti. Do e diskutojmë vazhdimisht që të dalë një vepër. Pogradeci është ndër qytetet e rrallë që ka shumë artistë ndaj do i bëjnë nder qytetit”, tha Xhakolli.

Gjithashtu në këtë takim është folur edhe për projektin që do të zbatohet së shpejti në rikualifikimin urbane të lagjeve historike “Topleci dhe Naim Frashëri” këto dy lagje krahas investimit dhe elementëve urbanë do të kenë brenda tyre edhe Shtëpitë Muze të Lasgushit e Mitrushit, Fototekën Misto Cici, Muzeun Etnografik dhe Muzeun e Shkollës së dytë Shqipe.