Silda Anagnosti, kandidatja e PS-së për Këshillin Bashkiak të Tiranës, e ftuar në rubrikën “Opinion”, në Neës24 foli për fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 majit. Anagnosti tha se Partia Socialiste nuk ka frikë nga asnjë kandidatë dhe se janë në garë vetëm me veten e tyre.

“Nuk i trembemi asnjë kandidati se kemi Erion Veliaj, duke pasur një politikan kalibri, s’ke si të kesh frikë. Në çdo fushatë elektorale çdo zonë e shohim si zonë me rrezik. Ne konkurrojmë gjithmonë me veten. Për të pasur frikë kundërshtarin politik, jo, pasi nuk kemi frikë, plus nuk kanë një program politik. Për aq kohë sa nuk kanë një alternativë, ne nuk kemi frikë.

Fokusi i fushatës janë njerëzit dhe ne jemi të përkushtuar me ata. Do flasim me ata ashtu siç ne duam që një politikan do të flasë me ne. Gjetja e re dhe më e bukur është mbjellja e pemëve, pasi kush mbjell një pemë lë diçka pas. Ajo që ne po bëjmë me qytetarë është që të mos i mbledhim në sasi të mëdha, që krijojnë ndotje akustike. Njerëzit mund ti takosh kurdo online.

Mitingu ndonjëherë është parë si demonstrim force. Ka ardhur momenti që të mos merret me seriozitet. E rëndësishme nuk është të dalësh dhe të flasësh, por jo përditë. Puna që bëjmë ne është si ajo e nikoqires që lan, gatuan dhe kujdeset për fëmijët dhe në fund i thonë që ’i paske hedhur pak si shumë kripë gjellës’”, tha Anagnosti.