Të enjten në mbrëmje do të zhvillohet një tjetër ndeshje e madhe në Premier League. Tottenham-Manchester United do të rrëmbejë skenën në ishull, sfidë me rëndësi të madhe për objektivin Champions League. Tottenhami synon të hedhë pas krahëve humbjen e rëndë 6-1 kundër Newcastle. Dhe të rikthehet te fitorja në takimin e parë me Ryan Mason në krye të ekipit. Në anën tjetër, United luan për dy rezultate, pasi edhe barazimi do të ishte i vlefshëm për skuadrën e Erik ten Hag.
Aktualisht “Djajtë e Kuq” ndodhen në vendin e katërt në Premier League me 59 pikë, po aq sa Newcastle, por United ka luajtur një ndeshje më pak. Në konferencën për shtypin përpara ndeshjes, Erik ten Hag deklaroi se ekipit të tij do t’i duhet një plan i mirë për të ndalur golashënuesin Harry Kane. “Sigurisht, ne e kemi një plan për Kane. Në ndeshjen e parë në shtëpi, ia dolëm mbanë ta ndalonim, kështu që edhe në këtë sfidë na duhet sërish një plan i mirë. Kanë është një lojtar i zgjuar, nuk duhet ta lejojmë të krijojë situata.”
Kapiteni i Spurs vijon të përflitet si objektivi kryesor i United në merkaton verore. Kontrata e goleadorit me Tottenhamin përfundon në verën e vitit 2024. Në rast se nuk arrihet një marrëveshje për rinovimin, atëherë klubi londinez do të jetë i detyruar për ta shitur, pasi në rast të kundërt rrezikon ta humbasë me parametra zero. Shtypi britanik shkruan se drejtuesit e United kanë gati një ofertë prej 92 milionë eurosh për 29-vjeçarin. Takimi mes Tottenhamit dhe Manchester United fillon prej orës 21:15 dhe do të transmetohet live në SuperSport 2.