Spanja është i vetmi vend i zonës Shengen në të cilin qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë edhe pas vendimit për liberalizimin e vizave me BE-në. Ai shtet, një nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e njohin Kosovën, nuk i njeh as pasaportat e Kosovës.

“Të gjitha vendet e Shengenit, përveç njërës, Spanjës, i njohin dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirisht në të gjitha vendet e Shengenit, përveç njërit”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wiegand, duke shtuar se njohja e dokumenteve të udhëtimit është përgjegjësi e shteteve anëtare.

Siç raporton agjencia spanjolle e lajmeve Efe, Wiegand ka saktësuar se të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe Spanjën, kanë votuar për liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, por Spanja është e vetmja që nuk i njeh dokumentet e udhëtimit të Kosovës.
Më 18 prill, Parlamenti Evropian miratoi liberalizimin e regjimit të vizave me Kosovën nga 1 janari 2024.

Rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të hyjnë në BE pa vizë për një periudhë prej 90 ditësh në çdo periudhë 180-ditore, duke e sjellë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor nën të njëjtin regjim vizash si BE-ja.

Spanja është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, ndërsa katër të tjerat janë Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia, por ndryshe nga Spanja, ata njohin dokumentet e Kosovës.