Ka zhvilluar 175 ndeshje si trajner i Milanit, por ato ndaj Napolit në Champions do të jenë dy takime me historinë.

Më parë, Stefano Pioli, siç tha edhe në konferencë, duhet të mendojë për takimin e sotëm në orën 21:00 kundër Empolit që vlen tri pikë, por edhe për ekonominë e një sezoni që kuqezinjtë duan ta mbyllin mes katër të parave.

I keni marrë masat që skuadra të mendojë vetëm për Empolin?

Ndaj Napolit pesë ditë më parë regjistruam një ndeshje fantastike. Nevojitet të ruajmë përqendrimin e të luajmë gjithmonë më atë nivel. Djemtë nuk kanë nevojë që t’u them unë për të menduar vetëm për nesër (sot) dhe jam i bindur që ata e dinë rëndësinë e ndeshjes me Empolin.

Cili është niveli i përqendrimit?

Ndeshjet fitohen në fushë, por gjithçka varet prej përgatitjes gjatë javës dhe frymës me të cilën përballohen. Nevojitet përulësi dhe duke parë vështirësitë sezonale duhet të përfitojmë nga ndeshjet në shtëpi.

Pra do të hidhni në fushë formacionin më të mirë?

Po, por duke u bazuar në idetë e mia. Na presin shumë ndeshje gjatë këtij muaji dhe me siguri ndonjë ndryshim të vogël do ta bëj.

Leao tha që është shumë komod në korsinë e majtë?

Ja që unë nuk duhet të kënaq vetëm një lojtar. Pastaj Leao më ka thënë krejt të kundërtën. Sidoqoftë për ne ka rëndësi që të luajë i lumtur e të mos shqetësohet për asgjë. Periudhën e vështirë e kaluam si grup dhe ndonjëherë mërzitesha me Leaon kur nuk bënte disa lëvizje, por në Napoli bëri gjithçka shumë mirë.

Një tjetër yll ndaj Napolit ishte Brahim Diazi. A është rikuperuar?

Në shumicën e kohës është stërvitur veçmas, por do të jetë i diponueshëm. Rëndësi ka që të jetë mirë e më pas do të vendos unë.

Pra, po thoni mund të luajë De Ketelare?

Ai, Kruniç ose Brahim Diaz. De Ketelare ka karakteristika për të luajtur në qendër ose djathtas dhe cilësitë e tij mund të rezultojnë të dobishme.

Si i shpjegoni problemet me skuadrat e mbyllura?

Gjithçka varet nga cilësia e lojës. Vështirësitë që thoni nuk i mohoj, por kemi punuar për t’u përmirësuar në këtë aspekt. Me të ashtuquajturat të vogla nuk duhet të gabojmë dhe ndeshjet e mbetura po mundohemi t’i konsiderojmë si sfida me eliminim direkt.

Çfarë i nevojitet Milanit për të luajtur përsëri si ndaj Napolit?

Duhen dy karakteristika thelbësore: cilësi manovre në kontrollin e lojës dhe topit, si dhe qëndrimi mbrojtës individual me presion ndaj kundërshtarëve.