Këtë vit, Panairi Automobilistik i Shanghait sinjalizoi fundin e epokës së motorëve me djegie të brendshme në Kinë, ndërsa firmat vendase të makinave elektrike janë në krye të revolucionit të sektorit duke i lënë markat e huaja në pluhur.
Mbështetja qeveritare për makinat elektrike dhe rritja e interesit nga një bazë e madhe konsumatorësh i ka dhënë siguri kompanive kineze për dominancën në tregun vendas, më i madhi në botë, dhe tani sytë janë përtej oqeanit.
Shanghai ka treguar se markat kineze mund të konkurojnë me të gjitha kompanitë ikonike në treg në çdo aspekt, performancë, kualitet, komfort, nuk ka asgjë që ato nuk mund të bëjnë tha specialisti i makinave elektrike Elliot Richards, duke u tallur se kishte parë shumë burra gjermanë të shqetësuar që vinin vërdallë në panair.
“Ky panair tregon qartazi fundin e epokës së makinave me motor me djegie të brendshme dhe fillimin e asaj elektrike”, shtoi më tej ai.
Kompanitë e makinave elektrike janë të vetëdijshme se po e ngushtojnë hendekun me paraardhësit e tyre që punojnë me hidrokarbure.
“Ne i konsiderojmë automjetet me benzinë të nivelit të lartë si BMW, Mercedes Benz dhe Audi si konkurrentët tanë kryesorë,” tha për AFP William Li, CEO i Nio, kompania që shihet në tregun global si konkurrenti kryesor i Tesla.
Sipas Shoqatës Kineze të Prodhuesve të Automobilave, automjetet elektrike përbënin një të katërtën e shitjeve të makinave në vend në vitin 2022, një rritje prej 94 përqind nga viti i kaluar.
Në Shangai, dhjetëra modele të reja u ekspozuan nga prodhuesit e rinj dhe të vjetër të makinave.