Trajneri i Realit, Karlo Ançeloti pranon se ka ende punë për të kaluar ndeshjen e kthimit në Londër dhe se asgjë nuk është vendosur, megjithëse vlerëson rezultatin pozitiv të arritur në “Bernabeu”. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, tekniku Italian, ndër të tjera u shpreh:

“Ne kemi përfituar, por do të duhet të vuajmë. Njëmbëdhjetë kundër njëmbëdhjetë kemi dhënë shumë energji për të rikuperuar topin dhe ndoshta në fund na ka munguar energjia. Por duhet të jemi të kënaqur. Për mua Valverde ishte më i miri në fushë, ishte lojtar kyç në rikuperimin e topave.

Jo, më pëlqen shumë skuadra, nuk është aq e lehtë nga pankina. Duhet të jesh i qetë sepse kanë mbetur edhe 90 minuta, sepse në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Duhet të dimë ta menaxhojmë atë avantazh, duke u përpjekur të përsërisim ndeshjen e sotme.

Asgjë nuk ka mbaruar, ka mbetur një sfidë tjetër dhe ne duhet të përgatitemi. E dimë që Çelsi do të përpiqet të japë gjithçka javën e ardhshme”, ka deklaruar Ançeloti.