Ministrja e qeverisë franceze, Marlene Schiappa është vënë nën kritika nga anëtarët e partisë së saj pasi u shfaq në kopertinën e revistës Playboy.
Schiappa, e cila ka qenë ministre e qeverisë që nga viti 2017, u shfaq në kopertinën e revistës, ndërsa dha një intervistë të gjatë deri në 12 faqe për të drejtat e grave dhe LGBT. Schiappa, e cila është ministrja aktuale për Ekonominë Sociale dhe Shoqatat Franceze, është fotografuar për kopertinën e veshur me të brendshme të bardha.
Schiappa ka qenë avokate për një kohë të gjatë për të drejtat e grave dhe u emërua si Ministrja e parë e Barazisë Gjinore në vend në vitin 2017. Në këtë rol, ajo udhëhoqi me sukses një ligj të ri për ngacmimin seksual, i cili lejon gjobat në vend për burrat që thërrasin, ngacmojnë ose ndjekin gratë në rrugë.
Paraqitja e saj ka tërhequr kritika nga kolegët politikë, përfshirë kryeministren franceze Elisabeth Borne.
Borne tha paraqitja e saj “nuk ishte e përshtatshme, veçanërisht gjatë kësaj periudhe”.
Kjo pasi Franca është aktualisht në kufirin e një krizë politike dhe sociale e shkaktuar nga masa e presidentit francez Emmanuel Macron për të çuar përpara reformën e pensioneve, pavarësisht kundërshtimit të gjerë publik.
‘Ne jemi në mes të një krize sociale, ka çështjen e policimit, ka njerëz midis jetës dhe vdekjes dhe unë kam përshtypjen se jam pas një perde tymi,”- tha Sandrine Rousseau, politikane e Partisë së Gjelbër dhe aktiviste për të drejtat e grave.
Politikani francez, Jean Luc Mélenchon, i cili doli i treti në zgjedhjet presidenciale të 2022, kritikoi pamjen e Schiappa-s dhe vendimin e presidentit francez Emmanuel Macron për të dhënë një intervistë për revistën për fëmijë, Pif Gadget, këtë javë.
“Në një vend ku Presidenti shprehet në Pif dhe ministri i tij në Playboy, problemi do të ishte opozita. Franca po del nga binarët,” shkroi Mélenchon në Twitter të shtunën.
Schiappa iu përgjigj kritikëve të saj në një postim në Twitter të shtunën, duke thënë: “Mbrojtja e të drejtës së grave për të pasur kontrollin e trupit të tyre, është kudo dhe gjatë gjithë kohës. Në Francë, gratë janë të lira. Me gjithë respektin për keqbërësit dhe hipokritët.”
Ministri i Brendshëm francez, Gérald Darmanin doli në mbrojtje të Schiappa-s gjatë një interviste me kanalin francez të lajmeve CNews të dielën duke e quajtur atë një “grua me karakter”.
“Doja të them se Marlene Schiappa është një politikane e guximshme femër që ka karakterin e saj dhe që ka stilin e saj që nuk është i imi, por unë e respektoj”, tha ai.