Kryebashkiaku Erion Veliaj, në një intervistë për ABC News, tha se Partia Socialiste për zgjedhjet e 14 majit do të zhvillojë një fushatë modeste dhe me kosto të ulët.
“Vendimi i kryeministrit dhe i Kryesisë së Partisë Socialiste ishte për të bërë një fushatë sa më modeste, madje dhe ato fonde që ne kemi në dispozicion nga KQZ si partia më e madhe, t’i kthejmë në komunitet, të lëmë një gjurmë. Kur mbaron fushata ngelen ato zhgarravinat nëpër mure, ngelen sloganet në autostrada, postet nëpër fasada pallatesh. Ne duam që të gjitha qytetet të kenë në fund të kësaj fushatë një kontribut që ngel nga ato forca që besojnë që qytetet bëhen më të mira me punë.
Ndaj, dhe vendimi ka qenë që të shpenzojmë gjithë fondin e fushatës proporcionalisht sipas popullsisë, në secilin qytet duke mbjellë pemë. Fillojmë në mënyrë simbolike, në këtë park që quhet Parku “Europa”, që është në zemër të Tiranës, buzë sheshit “Skënderbej”, për të lënë 61 gjurmë nga 61 kandidatë që në fund të ditës pavarësisht si shkon fushata e sa fitojmë ne e sa fitojnë të tjerët, në finale të fitojë Shqipëria, të fitojë qyteti.Duke nisur nga kjo simbolikë mu në zemër të Shqipërisë, aty ku fillon matet çdo destinacion i kilometrit zero, deri në finish, ne të kemi lënë një gjurmë që do ngelet edhe mbas fushatës”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj deklaroi se kjo nuk është një luftë mes shqiptarësh, por një garë për të qeverisur qytete. Ai deklaroi se dhe nisma për të mbjellë pemë, synon lënien e një gjurme të pemëve e të gjelbërimit.
“Kjo është një mënyrë për ta trajtuar këtë fushatë me këmbë në tokë, kjo nuk është një luftë mes shqiptarësh, nuk është mënyrë për të poshtëruar njeri-tjetrin, kjo është një garë për të qeverisur qytete dhe pavarësisht se kush fiton, të kemi lënë një gjurmë e një shije të mirë të pemëve e të gjelbërimit. Ku them që do bëjmë një fushatë pozitive dhe me këmbë në tokë kjo nuk do të thotë që ne nuk do marrim seriozisht ccdo votë, kjo do të thotë që do punojmë fort sidomos në ato pjesë që janë më sfiduese të qarkut tonë. Kjo do të thotë që për do zemër që rreh dhe çdo mendje që mendon për ta çuar vendin përpara, ne do kemi një mesazh, që do luftojmë për çdo vend, patjetër”, tha Veliaj.