Aston Villa fitoi 3-0 me Newcastle për raundin e 31-të në Premier League. Skuadra nga Birmingham merr fitoren e pestë radhazi, me djemtë e Unai Emery që janë vetëm tre pikë larg zonës europiane.
Dueli nisi me gol qysh në minutën e 11-të nga Ramsey. Pas asistit të Watkins, Ramsey shpërtheu festën në stadium. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, teksa në minutën e 61 një gol u anullua për vendasit me autor Watkins.
Vetëm tre minuta më vonë, në të 64, ishte sërish Watkins që këtë herë shënoi një gol të rregullt duke qetësuar vendasit. Sulmuesi i Villës do shënonte golin e tretë dhe të dytin personal në të 83 minutë, me Watkins që këtë sezon ka shënuar 12 gola dhe dhuruar pesë asiste në Premier League.
Pas këtij raundi, Newcastle mbetet me 56 pikë në vendin e tretë, teksa Aston Villa me 50 pikë merr vendin e gjashtë, tre pikë larg nga Tottenham i zonës europiane.