Në spektaklin e kaluar të “Big Brother” u pa qartë përplasja që opinionistët, e kryesisht Zhaku, kishte me Efin, një prej konkurrenteve.

Teksa opinionistët kanë dhënë mendimin e tyre për rikthimin e 4 banorëve, duke përjashtuar Bledin, ata kanë thënë se Efi, Kiara dhe Ronaldo kanë ndryshim drastik ndaj Luizit për shkak të mbështetjes së publikut ndaj tij dhe për klikimet e tyre.

Por situata ka agravuar kur Efi ka ndërhyrë ndaj opinionit të Arbrit dhe Zhaklinës teksa i akuzoi se e kanë personale me të. Efi la të kuptojë se në prapaskenë ka ndodhur diçka mes Efit dhe opinionistëve, por nuk tregoi asnjë detaj për këtë.

“Unë kam dëshirë të dal tani nga kjo shtëpi. Nuk dua të humbas nervat e mia dhe të ndihem keq shpirtërisht, me këto sjellje personale. Nuk e përballoj dot më. Nuk kam ndryshuar sjellje për Luizin. Ke frikë të bësh një hap. Pas debateve të mia me Arbërin dhe Zhaklinën në studio, gjërat nuk janë më të njëjta. Kam pasur konflikte me këta dy njerëz. Nuk e duroj dot më. Të prish unë gjendjen time shpirtërore për ty dhe Zhaklinën, jo”, u shpreh Efi.

Ndërkohë që nga ana tjetër, dy opinionistët e kanë kundërshtuar faktin se mes tyre kishte një inat personal. Megjithatë, Efi ka vijuar të këmbëngulë që të tregonin edhe çfarë ka ndodhur mes tyre larg kamerave.

Debati është zhvendosur nga studion e ‘BBV’ në rrjete sociale, ku shoqja e Efit ka publikuar bisedat me të. Nga bisedat, Efi shprehet se është zënë keq me Zhaklinën. Efi tregon se Zhaklina i është afruar në fytyrë duke ulëritur.

“U zura me Zhakun keq. Ua, më erdhi në fytyrë duke ulëritur. Do e kisha mbyt në dru. Injorante komplet, më hodhi kunjë ti që suporton dhunën e të pëlqejnë fishkëllimat”, shprehet Efi në mesazhin dërguar shoqes së saj.

Dhe duket se realisht mes dy vajzave ka pasur një përballje të fortë. Kanë qenë miqtë e Eift, që kanë shpërndarë më shumë detaje nga ato çfarë vetë Efi i kishte rrëfyer. Pak javë më parë, ku Efi ishte e ftuar si ish-banore, në përballje me Zhakun dhe Arbrin, duke mbrojtur Luizin, debati ka vijuar edhe në publicitet.

Nga ajo çfarë dihet, është fakti se përballja ka qenë me tone të ashpra më së shumti me Zhakun, e cila edhe është çuar në këmbë, duke iu afruar ish-banores. Nga ajo çfarë dihet, konflikti ka qenë në kufijtë për t’u bërë një përballje edhe fizike. Megjithatë, me ndërhyrjen edhe të ish-banorëve të tjerë, dhe të vetë Arbanës, sherri është ulur.

arber hajdari zhaklina lekatari arbana osmani

Është ky episodi, së cilës Efi iu referua, duke kërkuar prej opinionistëve të flisnin edhe për atë çfarë ka ndodhur mes tyre jashtë kamerave. Duket se opinionistët këtë vit kanë qenë shumë të kontestuar edhe nga vetë ndjekësit, duke mos i kursyer aspak në rrjetet sociale.

Megjithatë, duke marrë parasysh vëmendjen që ka reality show dhe mënyrën si ndikohen ndjekësit e programit nga mendimet e opinionistëve, Hajdari ka bërë një reagim në “Instagram”, ku prek kryesisht ofendimet që bëhen në komente ndaj konkurrentëve.

Sigurisht, Arbëri nuk e përmend në reagimin e tij, por në fakt Kiara Tito ka qenë ajo e cila ka marrë më shumë kritika nga publiku së fundmi e ndoshta mendimet e tij “kundër” moderatores dhe lojës së saj, mund të kenë nxitur disa prej këtyre reagimeve, ndaj edhe ai është detyruar ta bëjë këtë deklaratë.

Kështu, opinionisti i programit ndër të tjera thotë se ky “Big Brother” është shumë i vështirë për t’u komentuar e për të dhënë një mendim personal për shkak të përmasave që ka marrë, ndërsa ai vetë është përpjekur të mos cenojë askënd e të vlerësojë sa më drejt.

Ai shprehet se ata që janë duke argëtuar brenda shtëpisë prej 103 ditësh në këtë show, nuk meritojnë asnjë linçim publik, pavarësisht mendimeve që shprehen jashtë dhe askush prej tyre nuk duhet të sulmohet, ndërsa sqaron se batutat e tij janë bërë me qëllimin për t’i sjellë spektaklit pak lehtësi e sportivitet.

Një reagim të ashpër për opinionistët ka pasur edhe vetë babai i Kiara Titos, që kryesisht ka përmendur Zhakun dhe opinionet që ajo ka dhënë për moderatoren. Në lidhje “Skype” nga Italia, babai i moderatores tha se çfarëdo që të bëjë Kiara, do ta sulmojnë. Ai po ashtu kundërshtoi opinionistët duke thënë se ata “zgërdhihen” dhe nuk e kanë nxjerrë asnjëherë pozitive Kiarën gjatë mbrëmjeve në spektakël.

Babai i Kiarës shtoi se për një komentues që kishte shfaqur gjuhë urrejtjeje për të do vijë me avokat nga Italia. Ai po ashtu tregoi se gjatë komunikimit me Kiarën pasi ajo doli nga shtëpia i sugjeroi ta shijonte.

“Kiara është shumë e rezervuar dhe për tri ditë rresht vetëm ka qarë. I thashë që s’ ka bërë asnjë gabim”, tha ndër të tjera ai.

Sa i përket pajtimit me Efin, ai u shpreh i lumtur. Por përgjigjja e dhënë nga ana e Zhaklin Lekatarit për këtë deklaratë, duket se nuk është ajo që pritej. Në rrjete sociale po qarkullon një foto ku në qendër të kritikave është Zhaklin Lekatari, një nga opinionistet e Big-ut dhe lajmit që fansat i kanë dërguar në “Instagram” me qëndrimin e babait të Kiarës, ajo i është përgjigjur me linkun e QSUNT, përkatësisht për shërbimin e psikiatrisë.

Duket se Zhaklina është më e përfshira në këtë vorbull mes komentuesve banorëve dhe kritikave që i vijnë. Kjo, për faktin se shpeshherë ajo publikon në rrjetet e saj sociale edhe deklaratat fyese që i vijnë në rrjetet sociale.

Megjithatë, deri më tani, opinionistja nuk ka treguar asgjë për sherrin me Efin, duke preferuar të lërë gjithçka të kalojë në heshtje, duke u fokusuar te roli i saj, edhe për javët e mbetura të këtij formati.