Nga Ylli Pata/
Zgjedhjet vendore të përgjithshme sido që janë administrative, kanë të fortë përbërësin politik në çdo vend të botës. Në fund të zgjdhjeve, analiza e në të nxehtë pas rezultateve të para përqëndrohet te reagimet e partive politike. Thënë kjo, terreni bazik jo vetëm në vende të mëdha, por edhe në shtete si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, apo Maqedonia e Veriut, kandidatët, sidomos ato për kryetar bashkie, kanë një rol parësor në betejën zgjedhore. Kandidatët zgjidhen kryesisht nga ata që në një shoshitje paraprake rezultojnë si popullor, apo të tërheqshëm nga publiku.
Edhe në Shqipëri, pavarësisht se polarizimi ka qenë shumë i madh, kandidatët kanë pasur rolin e tyre të rëndësishëm, madje shpesh edhe më peshë sesa partitë që i kandidonin ata. Shembujt janë të shumtë që në vitin 1992, ku si në bashki të mëdha, apo të vogla, ka pasur kandidatë që janë tërhequr më fort me personalitetin e tyre. Madje disa kanë fituar edhe sit ë pavarur, kundër partive të mëdha. Kjo si nga PS, nga PD, por edhe parti të tjera të vogla apo të pavarur. Nard Ndoka përshembul ka hyrë në politikë si kryebashkiak i Vaut të Dejës, duke mundur dy palët, e ky rezultat i dha peshë. Në vitet e para të postkomunismit kishte kandidatë si për shembull Bashkim Fino në Gjirokastër, apo Agron Dibra në Lezhë, që gjithashtu arritën të ecin me babaxhanllëkun apo marrëdhëniet e tyre me njerëzit.
Por natyrisht rasti klasik ishte ai i Edi Ramës në vitin 2000 që i dha PS-së një bastion, ku asnjë sondazh nuk ja jepte pasi ai që quhej elektorati gri nuk afrohej së majtës. Po shembuj ka plot, edhe nga PD, si Engjëll Dakli në Elbasan nga PD apo Adrian Turku. Niko Peleshi në Korçë apo pasardhësi i tij Sotiraq FIlo, Tërmet Peçi në Tepelenë etj etj. Pra edhe pse aspekti politik nuk mund të shqitet kurrë, këtë herë duket se jemi përballë një fushate politike. E këtë e ka sjellë vetëm Sali Berisha me Ilir Metën. Të cilët, edhe pse jashtë kontekstit, duan të faktorizohen me zor.
Dashamir Shehi, Astrit Patozi, apo të tjerë politikanë antiberishjanë të opozitës, kanë deklaruar pa asnjë kompleks, se forcat e tyre politike do të mbështesin kandidaët e opozitës, edhe pse i takojnë foltores. Ndërkaq, e kundërta ndodh me Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët refuzuan një apel apo qëndrim të qartë të Enkelejd Alibeajt para se të regjistrohen kandidatët. Pra që të ketë e gjithë opozita kandidatë të përbashkët. Caktimi i kandidatit të Himarës për shembull nga Berisha, i cili është një i padëshiruar i të gjithë opozitës në territor, përveç shoqatës Omonia, është akti më simbolik i logjikës politike. Belind Këlliçi, do të ishte krejt ndryshe dhe beteja do të merrte një formë më reale, pa pasur nevojë për sforcime për të bëjë bujë, nëse do të ishte kandidat i përbashkët me një konsensus të të gjithë opozitës.
Sali Berisha, edhe pse është tërhequr direkt nga fushata e Tiranës, duke ndjekur shembullin e Bashës në 2011, vula e kandidatit të foltores duket qartë. Megjithatë, nuk se foltorja është e vetme ku kandidatët nuk po bien në sy. Kjo ndodh edhe në PS, ku sipas të gjitha gjasave të vetmit që mund të krijojnë paksa mjedis do të jenë emra të rëndësishëm e me peshë, si Benet Beci në Shkodër, ku luan në fushë të huaj për PS-në, apo edhe emra të rinj sin ë Vlorë e Sarandë, ku ndoshta ka më shumë kuriozitet. Por në fund, kjo është politikë e madhe që mazhorancës nuk se i prish punë. Pasi mban protagonizmin. Ajo që duhet të bënte diferencë do të duhet opozita, e cila përveç diskursit politik opozitar, do të duhej edhe të nxirrte emrat e kandidatëve, që do të ishin edhe një buqetë e udhëheqësisë së re të opozitës shqiptare. Po ku të lenë Berisha e Meta, të cilët duan të marrin protagonizëm, e pastaj thonë pse s’tërheq opozita….