A hëngre? A u ngope? Nëse këto janë pyetjet që u bëni fëmijëve sa i merrni nga kopshti, jeni gabim. Sipas Lira Gjikës, këto pyetje i bëjnë fëmijës të kuptojë sikur qëllimi kryesor që e keni çuar në kopsht është ushqimi. Në fakt nuk është e vërtetë. Në vend të kësaj fëmijën mund ta pyesni si kaloi, çfarë mësoi apo si u ndje.
“Shpesh dëgjoj prindër që i drejtohen fëmijëve kur i takojnë: “a hëngre” ose “u ngope”, sikur fëmija është çuar në kopsht, vetëm për të ngrënë dhe jo për të mësuar. Këto pyetje janë si ajo thika me dy presa, që bën vetëm dëm. Natyrisht. që fëmija duhet pyetur edhe për ushqimin, por jo që në fillim dhe në një mënyrë kaq të përgjithshme dhe sidomos pa kujdes për fjalët e përdorura. Mund ta pyesni pasi keni marrë informacionin për gjërat e reja që ka mësuar.
Pyeteni fëmijën: “të pëlqeu”?! apo “e shijove”?! “ishte një ushqim i ri”?! dhe jo “a hëngre”?, apo “u ngope”? Nëse një prind e pyet fëmijën “a hëngre” apo “u ngope” kur kthehet nga kopshti apo festa, i demonstron fëmijës, se ato që ka mësuar apo shijuar, nuk i interesojnë. I tregon se e ka çuar në atë vend sepse, në shtëpi nuk i ka ato ushqime.
Prindër! Kini kujdes kur flisni me fëmijën, njerëzorja nuk është një gjë e lindur si instinkti i të ngrënës, ajo mësohet dhe kërkon shumë kujdes, shumë vëmendje dhe mbi të gjitha, kujdes për fjalët që përdorni. Fjalët “hëngre”, “u ngope” ushqejnë dhe mbajnë gjallë mekanizmat bazikë “të urisë” dhe frikës se nuk do të ketë më. Ndërsa kur përdoren fjalët apo shprehjet: “u kënaqe”, “të pëlqeu” “çfarë shije kishte”, vihen në punë kurioziteti, kujtesa, rijetimi i shijes apo situatës dhe shmangen strukturat psikoemocionale të mbijetesës”, shkruan Lira Gjika.