Milan arriti të merrte një barazim në “Maradona” kundër Napolit me rezultatin 1-1, por kuqezinjtë mundën të kualifikoheshin në gjysmëfinalen e Champions League, ku tashmë do të presin kundërshtarin e radhës nga dyshja Inter-Benfica, ku me shumë mundësi do të shohim derbin e Milanos në këtë fazë.
Reafael Leao ishte protagonisti i madh i kualifikimit të Milanit dhe pas sfidës ai foli për mikrofonat e mediave.
“E di që kam shkruar një faqe në historinë e Milanit, jam shumë i lumtur. Dua të vazhdoj të ëndërroj gjithnjë e më lart dhe të fitoj Champions League me këtë ekip, duhet ta provojmë.
Jam i lumtur që ndodhem këtu, gjithmonë kam thënë se është krenari të mbroj këtë fanellë.
Vitin e kaluar pata një sezon të mirë në ligë, këtë vit doja ta konfirmoja që ndodhem në Champions League dhe për këtë falenderoj shokët e ekipit dhe trajnerin për ndihmën”, është shprehur sulmuesi portugez.