Nga Lorenc Vangjeli/
Nga 61 bashki të vendit, PD-ja zyrtare me kryetarin e komanduar Enkelejd Alibeaj, doli fillimisht me 16 kandidatë ku 6 prej tyre dhanë dorëheqjen. Gjithashtu ka largime të shumta edhe nga kandidatët e këshillave bashkiake dhe problem serioz për të gjetur komisionerë në qendrat e votimit dhe të numërimit. Përse kjo situatë brenda partisë së drejtuar nga Alibeaj dhe a e përligj gjendja e deritanishme “luftën e madhe” për të mbajtur vulën dhe logon?
Ka një kufi pothuaj të padukshëm mes tragjikes dhe komikes. Ka shumë elemente që gajasen nga njëra anë dhe lotojnë nga ana tjetër e këtij binomi. Eshtë tragjike që PD, për herë të dytë mbas 2019-ës, kur refuzoi me idiotësi të hyjë në zgjedhjet lokale, kësaj rradhe është në pamundësi për të gjetur ekip për të garuar në zgjedhje. Eshtë komike beteja me shumë seri dhe ende e pambyllur ende për pronësinë e vulës. Eshtë tragjike derexheja e katandisjes së forcës së parë antikomuniste në vend, e partisë së traditës që po shkrihet si gjurmë e lagur pule në shkretëtirë. Kjo është prova e dyfishtë që vërteton dy të vërteta të thjeshta. Duke nisur me faktin që kjo pjesë e PD-së, të vetmin triumf që llogarit në këtë garë është humbja e palës tjetër dhe duke mos u mbyllur me faktin që kjo parti ekziston vetëm në formën e grupit të saj parlamentar dhe është shumë larg me bashkimin me pjesën tjetër të partisë që nuk kontrollon dot grupin e saj parlamentar.
Në PD-në e vulës, grupi parlamentar që zëvendëson të gjitha strukturat e tjera, i ka atrofizuar, ngrirë dhe ngurtësuar ato struktura duke ju hequr kështu, të drejtën e kandidimit dhe të përfaqësimit. Të hutuar dhe pa ide, ata e shohin veprimin tek mosveprimi, aksionin tek mungesa e tij dhe ekzistencën e vet, në arsye që nuk kanë të bëjnë me vullnetin e votuesit. Karta e tyre morale, beteja kundër Berishës dhe bindjes që ka dhe vetë Berisha, që opozita me të në krye e ka të pamundur të shndërrohet në alternativë për pushtet, është shumë pak për të përligjur ekzistencën e këtij grupimi. Mund të kesh të drejtë dhe ky është momenti kulmor i të drejtës në krah të këtij grupimi, por kjo nuk mjafton. Nuk ka politikë në këtë histori. Ka vetëm interesa egoiste nga të dy palët, viktimë e të cilëve janë demokratët që gjenden gjithmonë e më pak të përfaqësuar dhe në plan më të përgjithshëm, gjithë shoqëria shqiptare që ka një ofertë të rëndësishme, më të rëndësishmen e mundshme, për të zgjedhur ne qeverisje. Përfitues direkt i saj mbetet dhe njëherë Edi Rama, i cili nuk ka nevojë të fitojë, por i duhet vetëm të presë si do të humbasin kundërshtarët e tij, nuk ka nevojë të vrapojë, por vetëm të shohë sesi kundërshtarët e tij, për të pëmendur dhe njëherë popullin e qymezit politik, gjëmojnë si pula të dehura kokrrën e rradhës së misrit.
Tërheqja e kandidatëve të PD-së shkon në favor të kandidatëve të Rithemelimit të Berishës që janë në koalicionin “Bashkë Fitojmë” që drejtohet nga Meta, apo është një çorientim i plotë nga votuesit e djathtë, duke përfituar mazhoranca?
Në pamje të parë duket se përfitues janë kandidatët e Rithemelimit. Dhe thërrime të tortës elektorale do të bien edhe në këtë anë, por më shumë se kaq, kjo gjë do të nxisë abstetimin e atyre demokratëve në bazë, të cilët duke kundërshtuar Berishën, me shumë gjasa më shumë do të preferojnë të rrinë në shtëpi sesa të bëhen pjesë e votimit. Eshtë betejë e humbur cilado ndeshje që nuk nis me frymëzim për fitore. Dhe këtë e di cilido individ. Përballë tyre, Edi Rama hyn edhe njëherë me kartë fituese në 14 maj. Ai ka mundur të përshtatë partinë e tij me realitetin bipolar të vendit. Si një makineri elektorale, përballë tretjes në mandatin e tretë, pakënaqësisë në rritje për administrimin e pushtetit dhe mungesës së frymëzimit për t’u rishpikur si alternativë, PS do të mobilizojë strukturat e saj në mënyrë kapilare duke kërkuar po në mënyrë kapilare votën. Nastradinët tanë janë lehtësuar e çliruar disa herë në shportën me qershi, por nuk ka qershi të tjera për të zgjedhur.
PS vendosi të rikandidojë 45 nga 61 kryebashkiakë, ndërsa PD e Berishës pasi kaloi primaret duket se ka synuar të nxjerrë figura të cilët gëzojnë popullaritet tek qytetarët në njësitë përkatëse. “Kokë më kokë” në bashkitë kryesore, kandidatët e Rithemeilit të Berishës duket se janë në “avatazh” si individë, por në sondazhe përsëri rezultojnë humbës. A tregon kjo që zgjedhjet lokale janë shëmbëlltyrë e atyre politike ku nuk përgjidhet individi, por subjekti politik që përfaqësojnë?
Ka një problem thelbësor tek procesi i primareve. Shumica dërmuese e tyre, edhe sikur ai proces të ketë qenë i përkryer, jep një tablo të frakturuar të pëlqimeve të publikut dhe figurave që do të kishin më shumë shanse në zgjedhje. Një kandidat i primareve mund të jetë më i avantazhuar se tjetri brenda për brenda gardhit të demokratëve, por përballë tij, humbësi, mund të jetë më i pëlqyeshëm në elektoratin gri, të pavendosur apo në rastin më të mirë, edhe tek socialistët e zhgënjyer. Për të marrë një shembull dhe duke spekuluar me projeksionet logjike dhe me perceptimin publik të krijuar në garën për Tiranën: Belind Këlliçi fitoi me Ilir Alimehmetin dhe demokratët zgjodhën të parin në vend të të dytit, por me shumë gjasë, i dyti kishte epërsi ndaj të parit në pëlqyeshmërinë e publikut më të gjerë. Si rregull, shanset e kandidatëve do të rriteshin nëse do të përdorej formulë tjetër në përzgjedhje, por synimi i inisiatorit të tyre, Berishës, ishte tjetër. Jo zgjedhja e kandidatit me kredencialet më të mira, por krijimi i alibisë vetjake në rast humbjeje. Që do të thotë se Berisha e ka gati shfajësimin për të thënë: nuk humbi kandidati im, por ai që zgjodhët ju! Sepse mbas zgjedhjeve, sipas statutit, Berisha duhet të shpjegohet e të kërkojë votëbesim në Këshillin Kombëtar. Mareshalli veteran i politikës i ka peshuar qartë mundësitë e tij dhe nuk hyn në betejën e 14 majit për të fituar dhe për të ecur përpara, por ka llogaritur rrugën e tërheqjes. Ai është përgatitur jo për marshin e fitores, por për ritmin funebër të humbjes së rradhës.
Në PS situata është ndryshe. Në PS Rama e di që ai vetë personalisht do të kandidojë në fiks 61 bashki. Me përjashtimin domethënës të Tiranës ku ai bashkëgaron me Erion Veliajn, në pothuaj çdo bashki tjetër, kali që do të tërheqë karrocën e tij ka një rëndësi relative shumë të vogël.
Ditët e fundit ka edhe një debat në lidhje me deklaratën e kryeministrit Rama se qeveria do të japë 5 mijë lekë të reja shpërblim për të gjithë pensionistët në muajin prill. Opozita pretendon se kjo është në shkelje të ligjit zgjedhor, por edhe si formë për të “blerë vota”. Gjithashtu edhe Komisoneri Shtetëror Zgjedhor Celibashi ka lënë të kuptohet se mund të jetë vendim në kundërshtim me ligjin. Ju si e kumentoni?
Sërish është çështje luksi politik. Pesë mijë lekëshi shpërblim për pensionistët është vetëm një pjatë më shumë supë në tryezë. Ky është më shumë një aksion bamirësie sesa operacion elektoral. I tillë do të bëhet nëse do të vihet në funksionim Kodi Zgjedhor. Pa asnjë problem Rama mund edhe ta shtyjë në kohë këtë masë sepse rezultatin që deshte tashmë e ka marrë. Ai do të ketë mundësinë në këtë rast që të tregojë me gisht kundërshtarët e tij përballë si intaçorët që derdhën pjatën shtesë të supës për pensionistët. Në këtë rast, përfituesit e munguar, nuk pyesin shumë për motivet e kuzhinierit që gatoi dhe ju serviri ushqimin, por do të zemërohen më shumë me ata që i penguan ta marrin. Një shqiptar, zakonisht e llogarit në xhep lekun e premtuar, ndaj ata do të ndjehen të vjedhur në xhepa nga ata që formalisht kanë të drejtë ta kundërshtojnë këtë akt. Ai do të jetë një rresht më shumë në raportin paszgjedhor të OSBE/ODIHR-it dhe asgjë tjetër. Premtimi me para për pensionistët dhe administratën në thelb është vetëm fishkëllima formale që Rama ju dha të vetëve se që të mërkurën, fushata ka nisur gjithashtu formalisht dhe se ai ka zbritur në fushë.