Trajneri i Labërisë, Dritan Resuli është goditur dje me grusht në ambientet e kompleksit sportiv “Labëria” në Vlorë. Policia e shtetit njofton se për këtë ngjarje është vendosur në pranga një person me iniciale A.A. pasi për motive të dobëta ka goditur me grusht trajnerin. Resuli nuk ka qenë në pankinë për shkak të dënimit nga Disiplina, teksa mësohet se agresori është një prej prindërve të futbollistëve të Labërisë, i pa aktivizuar në këtë takim. Dyshohet se prindi i lojtarit i ka kërkuar llogari trajnerit për mosaktivizimin në ndeshjen e djeshme dhe më pas e ka goditur me grusht.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 56 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, ndërmjetësit sportiv”, pasi ditën e djeshme, në kompleksin sportiv “Labëria”, për motive të dobëta, dyshohet se ka goditur me grusht, trajnerin e ekipit sportiv “Labëria”, shtetasin D. R., 46 vjeç, banues në Vlorë”, njofton policia.

Për javën e 19-të të Kategorisë së Dytë në futboll, Labëria fitoi 3-0 me Luftëtarin duke marrë tri pikë të rëndësishme në garën për zonën e promovimit në grupin B. Edhe këtë javë dhuna në kategoritë inferiore në Shqipëri nuk mund të mungonte, me një tifoz që është bërë protagonist.