Ervin Salianji, në një intervistë për “Top Talk”, shprehet se ish-kryetari i PD-së mund të rikthehet sërish në krye të partisë pas zgjedhjeve lokale.
Duke e cilësuar Partinë Demokratike zyrtare, si PD-në e vulës, demokrati thotë se ka një privatizim të vulës nga 2-3 persona.
“Ka një privatizim të PD-së së vulës. Do të jemi prapë këtu dhe do ta shohim si do të tretet bashkë me ish-kryetarin kur ai të kthehet në krye të asaj partie.
Do të kthehet dhe do të tretet bashkë me ata. Është e qartë që do të ketë një proces në 15 maj, në 30 qershor do të kthehet”.
Salianji shkon më tej, kur thotë se ka një kategori politikanësh që në politikë i kanë marrë të gjitha qyl.
“Nuk merren as godinat, as qytetarët, as vulat, duke u qurravitur. Merren vetëm me betejën politike. Betejat politike bëhen duke fituar mbështetjen e qytetarëve”. Salianji akuzon Alibeajn se në fushatën zgjedhore për 14 majin, më shumë po promovon Edi Ramën se sa opozitën.
“Për të rrëzuar Edi Ramën, thotë ky zotëria, votoni Ramën. Kjo është logjika e të gjithë fushatës.Çfarë e pengon që të thotë votoni kandidatët e opozitës. Unë kam këtë ndasi të caktuar me këtë zotërinë, edhe unë po themi, por çfarë e pengon që të thotë votoni kandidatët e partisë, e opozitës, për të bërë të mundur ndryshimin. Mirë aty ku kanë, po aty ku nuk kanë. Këtu ka diçka që kërcet dhe nuk bën sens politik. Nuk është çështje vulash dhe godinash, është çështje e vullnetit të qytetarëve. Do ta shihni në rezultatin e zgjedhjeve. Votat e kandidatëve janë votat politike që do të marrë secila prej palëve”.