Shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të ndërrohen. Është miratuar tanimë udhëzuesi me kriteret e reja për kandidatët që duan të marrin në dorë drejtimin e shërbimeve shëndetësore në qendrën më të madhe spitalore në vend. Minimumi që duhet të plotësojë një kandidat që të marrë pjesë në garë, duhet të jetë doktor shkencash.
“Në shtator i përfundon kontrata shefave aktualë për t’i lënë vendin shefave të rinj. Këto ditë hapet gara për kandidatet e rinj”, tha Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë. “Patjetër që do të kandidoj. Ligji e lejon që ata që janë afër moshës së pensionit mund të kandidojnë, pastaj e vendos komisioni”, u përgjigj ai.
Në udhëzimin e ri janë përcaktuar dhe pikët e vlerësimit nëse kandidati ka vetëm gradën doktor shkencash vlerësohet me 5 pikë, profesor i asociuar me 10 pikë, nëse ka titullin profesor ka 15 pikë. Ndërsa projekti i tij dhe vizioni për të drejtuar një shërbim për 4 vite vlerësohet me 53 pikë dhe po kështu komisioni do të vlerësojë aftësinë profesionale dhe organizative në strukturat shëndetësore me 14 pikë.
Për shkak të moshës së pensionit disa nga shefat që kanë drejtuar për 4 vjet shërbime të rëndësishme si kardioologjia, nefrologjia apo sëmundjet interne nuk do të mund të marrin pjesë në garë, duke ua lënë vendin kandidatëve të rinj.