Kampionati europian i peshëngritjes është përfshirë nga një skandal. Gjatë eventit që po mbahej në Jerevan të Armenisë një person nga publiku është afruar tek flamuri i Azerbajxhanit dhe i ka vënë flakën. I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryeministri i Armenisë.

Pas këtij veprimi, Azerbajxhani tërhoqi ekipin kombëtar të peshëngritjes. Ngjarja u konsiderua si skandal me prapavijë politike dhe qeveria armene u kritikua si përgjegjëse. Sipas mediave të huaja, autori u identifikua dhe u arrestua më pas nga policia.

Ky incident vjen pak ditë pas përshkallëzimit të situatës mes Azerbajxhanit dhe Armenisë ku mbetën të vdekur shtatë persona si pasojë e një përplsje të armatosur në një zonë kufitare. Arsyeja e konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit qëndron në rajonin e Nagorno-Karabakut.

Pjesë e këtij eventi europian është dhe kombëtarja shqiptare e peshëngritjes. Siç shihet edhe në foto, pranë flamurit azerbajxhanas, ka qenë edhe ai kuqezi. Kuqezinjtë përfaqësohen me shtatë sportistë në pesha të ndryshme.

Briken Çalja dhe Erkand Qerimaj janë pretendentë për zonën e medaljeve. Këtë të shtunë është mbajtur edhe ceremonia e hapjes ku skuadrat janë prezantuar me radhë.