Statuja e një sirene e vendosur nga autoritetet në një fshat peshkatarësh në rajonin juglindor italian Puglia, ka shkaktuar polemika në komunitet duke u etiketuar “tepër provokative”. Zyrtarët thonë se statuja është krijuar nga një prej studentëve të shkollës së artit Luigi Rosso në Monopoli, para se të vendosej në sheshin e titulluar sipas shkencëtares Rita Levi-Montalcini.

Vepra që ende nuk është inauguruar, është bërë objekt kritikash të ashpra online, nga fotot e marra gjatë punës së instalimit. Aktorja nga Bari, Tiziana Schiavarelli shkroi në Facebook se miqtë e saj në Monopoli “me të drejtë kishin shprehur rezervat e tyre për këtë ‘monument’”.

“Duket si një sirenë me dy gjinj silikoni dhe të pasme të mëdha që nuk më shkonte mendja të shikoja ndonjëherë në një sirenë”, komentoi Schiavarelli. Schiavarelli thkesoi se nuk kishte problem me studentët e artit apo zyrtarët e bashkisë lokale, që kishin pranuar punimin, teksa shtoi: “Kush e di, ndoshta kthehet në një atraksion për turistët,” tha ajo.

Adolfo Marciano, kreu i shkollës së artit Luigi Rosso e mbrojti statujën duke thënë se është një “homazh ndaj shumicës së grave që sot janë me tipare të mbushura”. Ai shtoi: “Kur sheh në TV modele që janë shumë të dobëta, kjo mund të jetë një homazh për gratë me trup të mbushur”. Beppe, banor i Monopoli, tha se skulptura ka shkaktuar shumë pakënaqësi dhe njerëzit e kritikojnë si “tepër provokative”. “Është për të ardhur keq që studentët e artit në vend që të lavdërohen marrin me të drejtë kritika”, tha ai.