Benfika u mposht me rezultatin 0-2 ndaj Interit në shtëpi, në ndeshjen e parë çerekfinale të Champiosi-it, por për trajnerin Roxher Shmid, skuadra e tij i ka shanset për të tentuar një mrekulli në “San Siro” në ndeshjen e kthimit, teksa nuk kanë munguar sulmet ndaj gjykimit. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, tekniku i skuadrës portugeze u shpreh:
“Duhet të fitojmë në Itali, padyshim që nuk është e lehtë, por ne vazhdojmë të besojmë te përmbysja. Ishte një lojë e ekuilibruar, pa shumë raste për të dyja skuadrat. Kur po kërkonim avantazhin pësuam golin. Ishte një ndeshje e vështirë.
E vendosën situatat, por lojtarët vazhduan të luftonin duke dhënë gjithçka. I provuam të gjitha, por Interi është një ekip i mirë me përvojë. Ne më pas u ndëshkua me një penallti, që për mua nuk ishte, në vend të kësaj mungon një penallti e padhënë për ne, për ndërhyrje të gabuar ndaj Ramos në zonë.
Ishim të pafat me vendimet e arbitrave. Skuadra në minutën e fundit u përpoq të ngushtonte rezultatin në 2-1. Duhet të pranojmë rezultatin dhe të bëjmë maksimumin në ndeshjen e dytë”, u shpreh Shmid.