Edhe pse përkohësisht fitorja me Vllazninë e dërgoi Tiranën kryesuese 8 pikë më shumë se Partizani ndjekës, por trajneri Shehi refuzon ta pranojë se derbi me Shkodrën ishte përcaktues. Nga ana tjetër trajneri i kuqebluve Sedlovski e pranoi se kryeqytetasit fituan me meritë në ‘Loro Boriçi’.

Tirana fitoi derbin e parë të Shqipërisë në këtë kampionat kundër Vllaznisë dhe në të njëjtën kohë vendosi njërën dorë te titulli kampion. Në ‘Loro Boriçi’ vulosi goli i Kristal Abazajt në pjesën e parë, duke u shndërruar kështu në hajmalinë e Tiranës në këtë fund sezoni. Për rrjedhojë bardheblutë kanë shkuar të paktën përkohësisht 8 pikë më shumë se Partizani ndjekës kur kanë mbetur edhe 6 javë kampionat.

“Patjetër që është fitore e rëndësishme në këtë fazë ku është kampionati dhe përballë një kundërshtari që ka cilësi. Jemi të kënaqur me këtë fitore sepse jemi në vazhdën e ndeshjeve të mira. Në 6 ndeshjet e fundit kemi 5 fitore dhe një barazim,”-deklaroi Orges Shehi, trajner i Tiranës.
Pavarësisht diferencës së madhe trajneri Shehi refuzon ta pranojë se Tirana është shumë pranë rikonfirmit kampione e Shqipërisë.

“Jan dhe 6 javë të tjera, 18 pikë në lojë. Kështu që ne duhet të kemi fokusin te ndeshja e rradhës sidomos te kjo e kupës të mërkurën. Të rikuperojmë energjitë dhe për të nuk mund të themi kurrsesi domethenëse. Është e rëndësishme por jo përcaktuese,”-tha Orges Shehi, trajner i Tiranës.
Sakaq trajneri i Vllaznisë Goce Sedlovski uroi Tiranën për fitoren dhe tha se në këtë ndeshje ndikuan gabimet individuale të futbollistëve. Ndërkohë po të shtunën Teuta mori një fitore tejet të rëndësishme 2-0 për mbijetesë kundër Erzenit, duke parakaluar në të njëjtën kohë shijakasit në renditje. Sfida tjetër mes Egnatias dhe Laçit, të zhvilluar në stadiumin ‘Partizani’ përfundoi me shifrat 1-1.