Kandidati i Partisë Socialiste për Shkodrën, Benet Beci duke komentuar ecurinë e fushatës elektorale, tha në një intervistë për Euronews Albania se përgjegjësia për qytetin e ka tejkaluar përgjegjësinë për politikën.
Sipas tij tashmë flitet shumë më tepër për zhvillimin e qytetit, detyrat, ekonominë, infrastrukturën e më pak për politikën, pavarësisht se Shkodra njihet si bastion i djathtë.
“Në këtë aspekt, besoj është e kuptueshme se gara do të sjellë risi të tjera,” – u shpreh Beci.
Kandidati socialist tha se shpreson shumë që të ketë një klimë pozitive të fushatës elektorale dhe që mesazhet që do të vijnë nga kandidatët të jenë pozitive, duke komentuar këtu edhe lëndën plasëse që shpërtheu në makinën e Bernard Ndrecës në Vaun e Dejës.
“Gara është për zhvillimin e Shkodrës, gara është për alternativa, në garë vihet me një ofertë dhe nuk vihet me një betejë, luftë apo…kështu që unë shpresoj shumë dhe nga ana ime do të bëj ç’është e mundur për një fushatë model në Shkodër, siç e meriton qyteti i kulturuar i Shkodrës,” – deklaroi Beci.