Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Shëngjin, ku biznesmeni Ardian Nikuaj u vra me armë zjarri brenda lokalit të tij, ka reaguar edhe vjehrri i tij, i cili ka qenë dëshmitar në vendngjarje.
Burime për News 24 bëjnë me dije se ai ka thënë se ndodhej 3 metra larg vendngjarjes gjatë momentit të atentatit. Ai tha se të gjithë ishin të tronditur dhe shtoi se nuk e dinin se nga erdhi autori i ngjarjes, por thjesht pa momentin kur u krye ekzekutimi. Autori i maskuar me jelek fosforeshent, kokore dhe maskë anti-covid ka hyrë nga pjesa e pasme e lokalit, për të kryer sulmin. Gjithashtu mësohet se drejt biznesmenit dyshohet se është qëlluar 6 herë dhe dy prej plumbave e kanë prekur, njëri në pjesën e kokës dhe tjetri në trup. Sipas disa raportimeve te ekspertëve të kriminalistikës bëhet me dije se autori i sulmit të ketë qenë profesionist, pasi ka qëlluar me gjakftohtësi në shënjestër viktimën dhe është larguar pa lënë “dëme anësore”.
Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur në prani dhe të një qytetari tjetër ndërsa shënjestër e plumbit ishte biznesmeni Nikulaj. Autori i ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj dyshohet se ka lëvizur me një automjet tip Range Rover me targa angleze ngjyrë të zezë. Dyshohet se ai u kamuflua me uniformë policie për të mos ngritur dyshime tek viktima dhe për t’i shpëtuar efektivëve. Viktima njihet si biznesmen i fuqishëm në zonën e Lezhës. Ai ka mbajtur postin e drejtorit të Aluiznit në Lezhë, si edhe ka kandiduar gjithashtu për deputet në zgjedhjet parlamentare 2021 nën logon e PSD. Gjithashtu ishte regjistruar në listat e këshillit bashkiak të Lezhës për zgjedhjet lokale të 14 majit.