Në vijim të rrugëtimit të gjelbër drejt 14 Majit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mbolli disa pemë me banorët e Njësisë 1 në kryeqytet. Pas përfundimit të bulevardit “Taulantia”, i cili ka rritur ndjeshëm vlerën pronës në këtë zonë, Veliaj tha se puna e bashkisë do vijojë në çdo degëzim të lagjeve.

Ai shtrëngoi duart me banorët e zonës, të cilët e vlerësuan për punën e bërë dhe standardin e vendosur. “Rrugët i ke bërë, ndaj e kemi këtë respekt për ty”, u shpreh një nga banorët.

Veliaj i falenderoi për të gjitha vlerësimet. “Më japin kurajo, më japin ide se si mund të shkojmë përpara, por gjithashtu jam i ndërgjegjshëm që kemi ende punë për të bërë. Jo gjithçka ka mbaruar. Kemi mbaruar bulevardin këtu, por na u desh të arsyetonim me ata që shisnin në rrugë. Edhe ata u bindën, tani janë më mirë, por edhe lagja fitoi një bulevard. Tani që kemi mbaruar segmentet kryesore, duhet të futemi me degëzimet në çdo xhep”, u shpreh Veliaj.