Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi deklaron se Erion Veliaj është fitues padiskutueshëm në zgjedhjet lokale në Tiranë. Në një intervistë për News 24, Koçi e konsideroi Veliajn model të qeverisjes vendore.
“Tirana mendoj është një rezultat i paracaktuar. Ne kemi një kandidat, i cili është një model i qeverisjes vendore, pra një model që e ndjekin të tjerët, se çdokush ka modelin e vet, por modelin që e ndjekin të tjerët, jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta edhe më gjerë. Veliaj i ka dhënë Tiranës gjatë mandatit të vet një rëndësi ndërkombëtare. Marrëdhëniet ndërkombëtare të Tiranës si bashki janë intensifikuar në një përmasë gati të pabesueshme krahasuar me përpara, ndërkohë që realitetet qeverisëse janë vërtet impresionuese. Këtu nuk kam parasysh vetëm infrastrukturën, e cila sigurisht akoma nuk është e përfunduar, por sidomos në aspektin social, nëse marrim parasysh çerdhet, kopshte, shkollat që lidhen me të ardhmen e banorëve të Tiranës”, tha ai.

Teksa shprehu bindjen për fitoren e socialsistëve në zgjedhjet e 14 majit, Petro Koçi e cilësoi idenë e hedhur nga Belind Këlliçi të ngjashme me atë të skemave piramidale.
“Kjo që thoni lidhur me këtë idenë e transportit falas që kështu mund të duket shumë e bukur, është tamam të kandidosh për skemë piramidale, sepse thashë gjërat duan llogari. Duhet të lërë çdo gjë tjetër dhe të bëjë vetëm transportin falas dhe pastaj ku ishim dhe ku vemi?! Ky koalicion që thoni ju është koalicioni më i përshtatshëm për të fituar Partia Socialiste. Është fantastike që zgjedhjet t’i fitojë PS, sepse ata përfaqësojnë jo ndryshimin, por përfaqësojnë prapakthimin dhe njerëzit nuk votojnë prapakthimin. Do votojnë ecjen përpara, kështu që PS në Tiranë dhe kudo përfaqëson vërtet ndryshimin që kërkojnë njerëzit, sepse ata besojnë tek ajo që është ndryshuar në këto vite dhe tek ajo për të cilën angazhohet Partia Socialiste. Kështu që unë jam dakord me atë, njerëzit do votojnë ndryshimin, Partinë Socialiste, fuqinë e ndryshimit që është PS. Nuk mund të votojnë fuqinë e prapakthimit”, tha ai .