Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha sot se në kohën kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, dhe drejtor i Rinisë ishte kandidati i tyre sot, eventi më i rëndësishëm rinor dhe kulturor ishte ndarja me kova e legenë e tortës së 100-vjetorit të Pavarësisë.

“Ky dhëndri ynë që kandidon, ka qenë drejtor te Rinia dhe Kultura. A ju kujtohet evenimenti më i madh kulturor dhe rinor i Bashkisë së Tiranës në ato vite? Ju kujtohet torta e Pavarësisë? Disa prej jush e kujtojnë me turp, se thoni ‘s’më besohet që kam qenë pjesë edhe e asaj administrate’. Ju kujtohet momenti kur iu tha shqiptarëve: ‘Ejani me kova, me legena, me kazanë dhe të kapim nga një copë të tortës’? Kur i dëgjon sot këta të sapllakes, këta të kalit blu dhe këta të legenëve me tortë, ti thua: ‘E pabesueshme’. Sa për të qeshur, siç po qeshim, dhe mirë është të qeshim nga pak, por është edhe për të qarë. Ju kujtohet si ishte Bashkia e Tiranës? E mbushur me graffiti? Një bashki që nuk ruante dot godinën e vet, zyrën e kryetarit të vet, se ndotja fillonte këtu. Ju kujtohet që një pjesë e bashkisë punonte te kontejnerët mbrapa? Tundin kokën ata që e mbajnë mend. Kemi kaluar shumë histori tragjikomike”, u shpreh Veliaj.