Sonte stadiumi ‘Diego Armando Maradona’ do jetë dëshmitar i një përballje historike mes Napolit dhe Milanit, që vihen kundër për ndeshjen e kthimit në çerekfinalet e Champions League. ‘Asnjë lojë e bukur nuk do jetë e mjaftueshme nëse nuk kualifikohemi’,-ka deklaruar para ndeshjes trajneri i Napolit Spaletti, i cili ka shtuar se ekipin e ka përgatitur edhe për penalltitë. Të kaltërit janë optmistë për përmbysjen e humbjes 1-0 në Milano një javë më parë dhe për këtë do kenë ndihmën e Viktor Osimhen, sulmuesit që sapo është kthyer nga dëmtimi. Megjithatë Napoli ka humbur për çështje kartonësh mbrojtësin Kim dhe mesfushorin Anguissa.
Nga ana tjetër te Milani nuk ka asnjë mungesë dhe ndryshe çfarë është folur një ditë më parë në dispozicion do jetë edhe sulmuesi Giroud. Trajneri Pioli është shprehur se ‘djalli’ nuk do qëndrojë në mbrojtje të rezultatit, por do sulmojë si në në ndeshjen e parë. Nëse Milan kalon në gjysmëfinale do jetë hera e parë që nga 2007, ndërsa për Napolin hera e parë në histori.
Ndërkohë po sonte në orën 21:00 në Londër Chelsea do kërkojë të përmbysë humbjen 2-0 të pësuar në Madrid nga Reali kampion në fuqi i Champions League. Pavarësisht fitores dhe avantazhit trajneri i galaktikëve Carlo Ancelotti ka kërkuar kujdes nga lojtarët e tij, pasi sipas italianit ‘Chelsea është në një moment të vështirë dhe dëshiron të largohet nga aty’.
Nga ana tjetër trajneri Lampard nuk duket edhe aq optimist, pasi në 3 ndeshje në krye të klubit ka marrë 3 humbje. Gjithsesi edhe sezonin e kaluar Chelsea i shkoi shumë pranë përmbysjes së rezultatit ndaj Real Madrid dhe sonte mund të jetë mundësia për të përfunduar punën e nisur.