Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani deklaroi sot se shpreson që shumë shpejt do të formohen institucionet.
Pasi votoi në qendrën e votimit në Kodrën e Minatorëve, ai theksoi se qytetarët janë në gjendje jo të mirë dhe që kanë nevojë sa më shpejt të kanë udhëheqje në vendin ku jetojnë.
Kandidati nga Iniciativa Qytetare garon për kryetar të Mitrovicës së Veriut.
“E përfundova një obligim qytetar, shpresoj që shumë shpejt do të formohen institucionet e komunës. Qytetarët kanë shumë nevojë për institucione tash e sa muaj jemi si qytetarë tu hequr keq për institucione”, tha ai.
Në Mitrovicën e Veriut garojnë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare, Taulant Kelmendi nga PDK dhe Erden Atiq nga LVV.
Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, ku janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”. Në zgjedhjet e 23 prillit, në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantiq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë.