Një juri në Nju Jork nis sot procesin e peshimit të argumenteve dhe fakteve për të marrë një vendim lidhur me padinë civile kundër ish-Presidentit Donald Trump.
Ish-gazetarja dhe shkrimtarja E. Jean Carroll e ka akuzuar zotin Trump për përdhunim. Sipas saj ngjarja ka ndodhur në një dyqan luksoz në Manhatan në vitin 1996. Zoti Trump, i cili nuk pranoi të dëshmonte në sallën e gjyqit, i ka hedhur poshtë akuzat e zonjës Carroll dhe ka shtuar se nuk e njeh fare atë. Ditën e hënë, gjatë paraqitjes së argumenteve mbyllëse, avokati i zotit Trump, Joe Tacopina, tha se historia e zonjës Carroll është shumë e dyshimtë për t’u besuar. Sipas zotit Tacopina, ajo e ka sajuar ngjarjen me qëllimin për të shitur një libër me kujtime të publikuar në vitin 2019, si dhe për të denigruar politikisht zotin Trump.

Avokatja e zonjës Carroll, Roberta Kaplan, i bëri thirrje jurisë të besojë klienten e saj, duke iu kujtuar anëtarëve të jurisë, ndër të tjera, komentet famëkeqe të zotit Trump të vitit 2005, ku ai shprehej se personat e famshëm mund t’u fusin duart grave mes këmbëve, edhe i pa pyetur. “Ai (Donald Trump) as që u mundua të paraqitej këtu (në gjyq) personalisht”, tha zonja Kaplan, duke shtuar, se ato që zoti Trump kishte thënë në deponimin e tij të regjistruar, si dhe në komentet e tij publike, mbështesnin pretendimet e klientes së saj. “Në një kuptim Donald Trumpi është një dëshmitar kundër vetvetes”, tha ajo. “Ai e di se çfarë ka bërë. Ai e di që e ka përdhunuar zonjën E. Jean Carroll”.

Gjatë dëshmisë së saj, 79-vjeçarja E. Jean Carroll” tha se ajo u takua rastësisht me zotin Trump, në dyqanin ‘Bergdorf Goodman’ përballë kullës Trump. Ajo tha se fillimisht ata po bënin shaka, duke ngacmuar njëri-tjetrin për të provuar disa të brendshme që shiste dyqani. Por më pas, zoti Trump hyri në dhomën e saj zhveshjesh, ku, sipas saj edhe e përdhunoi. Avokati Tacopina u tha anëtarëve të jurisë se nuk kishte asnjë arsye për të thirrur zotin Trump si dëshmitar, në një kohë kur zonja Carroll as që e mbante mend se kur kishte ndodhur incidenti i pretenduar me zotin Trump. Ai tha se zonja Caroll i sajoi akuzat, duke i kopjuar ato nga seriali televiziv “Law and Order”, i vitit 2012, në një episod të të cilit, një grua përdhunohet në dhomat e zhveshjes, në seksionin e të brendshmeve, të dyqanit ‘Bergdorf Goodman’.Në dëshminë e tyre në gjyq, dy nga miqtë e zonjës Carroll thanë se ajo u kishte treguar atyre rreth asaj që kishte ndodhur me zotin Trump, pak pas incidentit, dhe shumë vite përpara se të transmetohej seriali “Law and Order”.