Real Madridi i dha lamtumirën Ligës së Kampionëve me një humbje të madhe (4-1) ndaj Manchester City të Pep Guardiolës. Një disfatë që tregon fundin e ciklit për një ekip që ka fituar gjithçka, por që në “Etihad” vërtetoi një rënie, të cilën Barça e kishte vënë në dukje tashmë me ato 14 pikë diferencë në La Liga. Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti tregoi në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të gjitha mangësitë që fshihnin përmbysjet e pamundshme karombolike të sezonit të kaluar. Disfata e thellë ndaj Manchester City la disa gjëra të theksuara nga pas. Duke filluar nga mefshtësia e trajnerit Carlo Ancelotti për të ndryshuar diçka gjatë lojës dhe përfunduar me “zhdukjen” e Karim Benzema. Këta janë fajtorët e “debaklit” të pësuar në tokën angleze:
Ancelotti; një qasje e frikshme
Pep Guardiola kaloi dorën mbi fytyrën e tij me një qasje të guximshme. Si gjithmonë, Carlo Ancelotti i besoi gjithçka pritjeve të Courtois dhe aftësisë së lojtarëve të tij për të përfituar nga çdo gabim i kundërshtarit. Courtois e mbajti në këmbë për 20 minuta me duar të pabesueshme, por gabimi i City nuk erdhi kurrë. Anglezët e pushtuan Real Madridin me presion mbytës, çka të bardhët nuk mundën ta përballonin. Dëshmi për këtë është se Ederson nuk preku asnjë top në pjesën e parë. Italiani gjithashtu nuk kishte aftësinë për të ndryshuar lojën si në raste të tjera. “Magjia” si trajner iu zhbë në “Etihad”.
Militao; një gafë
Ishte befasuese si Ancelotti la Antonio Rüdiger në pankinë për “të vënë bast” mbi Éder Militao, performanca e të cilit në javët e fundit kishte lënë shumë për të dëshiruar. Edhe me lejimin e arbitrit, gjermani e neutralizoi Erling Haaland në ndeshjen e parë. Braziliani vinte nga gabimet e tij groteske ndaj Girona dhe Real Sociedad. Ai përsëriti një performancë tjetër katastrofike në “Etihad”. Haaland e nxirrte vazhdimisht jashtë pozicionit, duke çekuilibruar kuadrin mbrojtës të Real Madridit. Militao e kulmoi paraqitjen e tij zhgënjyese duke shënuar në portën e tij për 3-0.
Camavinga; i pavendosur
Ancelotti është vlerësuar shumë për “shpikjen” e Camavinga si mbrojtës i majtë, por në momentin e së vërtetës, Real Madridi pagoi që nuk kishte një mbrojtës të majtë natyral. Francezi ka zbutur mungesat e përsëritura për shkak të lëndimit të Ferland Mendy. Shkathtësia i ka dhënë atij një vend në 11-shen e parë, por Guardiola e dinte se pika e dobët e Real Madridit ishte ai pozicion. Kjo është arsyeja pse ai kërkoi “ta guduliste” Real Madridin pikërisht aty. Camavinga e gjeti veten të tronditur nga një Bernardo Silva, i cili dinte të koordinohej me Kevin de Bruyne për ta hequr atë nga pozicioni dhe për ta sulmuar vazhdimisht. Francezi u mbyt dhe nuk dha asgjë kur Ancelotti e ktheu në mesfushë.
Modric-Kroos; të lodhur
Mosha nuk fal; Luka Modric dhe Toni Kroos u përballën me realitetin e ashpër në “Etihad”, kundër një kundërshtari që nuk iu dha atyre asnjë mundësi qetësie. Kroati dhe gjermani nuk patën aftësinë për të zotëruar topin dhe vendosur ritmin e lojës. Në moshën 37 dhe 33-vjeçare, sezoni ka qenë shumë i gjatë për të dy. Mesfusha e Real Madridit është plakur, pa gjetur zëvendësuesit e duhur. As Tchouaméni dhe as Ceballos nuk janë alternativë. Fede Valverde punon vetëm si anësor fals, kur skuadra luan me epërsi në mesfushë.
Valverde; i turbullt
Ku është ai futbollisti i fuqishëm, hierarkik, me mbërritje dhe goditje shkatërruese? Nuk është as këtu dhe as nuk pritet për një kohë të gjatë. Uruguaiani ka probleme kur është radha e tij për të krijuar dhe kemi parë të zbehet gjatë gjithë sezonit. Në “Etihad” nuk u pa kur Real Madridi kishte topin. Por më e keqja është se ai nuk shtoi muskuj as në detyrat mbrojtëse. Gundogan, De Bruyne dhe Rodri bënë çfarë deshën…
Benzema; një lider fantazmë
Sezonin e kaluar, Real Madridi përjetoi pritjet e Thibaut Courtois dhe golat e Karim Benzema. Por francezi nuk është shfaqur gjatë gjithë sezonit, ose e ka bërë këtë në mënyrë sporadike. Në këtë sezon ai nuk është parë. Në momentin e së vërtetës pritet ende nga Benzema. Në “Etihad” ishte një shpirt i humbur, që goditi vetëm një herë në portë dhe në duart e Edersonit. Shumë larg futbollistit që e fitoi “Topin e Artë” sezonin e kaluar. Ashtu si Modric dhe Kroos, skena e tij po bëhet më shumë histori se sa prezencë.
Po Vinicius dhe Rodrygo, ku janë?
“Anije” me bojë janë shpenzuar duke lavdëruar virtytet e Vinicius dhe Rodrygo. Për të parin është thënë se është futbollisti më i mirë i momentit. Për të dytin se ka një marrëdhënie të veçantë me Champions League. Oh, me te vërtetë? Sigurisht, asgjë e tillë nuk u pa në “Etihad”. Vinicius i humbi të gjitha duelet me Walker deri në atë pikë sa u largua nga krahu i majtë për t’u përpjekur të futej në lojë. Rodrygo as kaq. E vetmja herë që u pa ishte kur u tërhoq nga fusha për t’u zëvendësuar nga Dani Ceballos.