Lulzim Basha u vendos në shënjestër të akuzave nga “babai i tij shpirtëror”, Sali Berisha dhe këtyre akuzave, ai ka zgjedhur që të mos u kthejë përgjigje. Për këtë, Basha ka thënë se ka zgjedhur që të mos u kthehet jo sepse nuk ka pasur se çfarë të thotë, por ka pasur një asye më të fortë.

“Nuk kam heshtur se nuk kisha çfarë thoja, për sulmet, akuzat apo personin që përmende, kam zgjedhur që të hesht për plagët që shkaktonte çdo sulm të demokratët dhe çfarë do që thoja do i thellonte këto plagë sepse asnjë sulm nuk kanë buruar nga ai, por kanë qenë sulme që më janë bërë nga Edi Rama dhe kundërshtarët e tij”, u shpreh Basha, referuar akuzave që kanë ardhur nga Berisha, mes tyre edhe për çështjen e lobimit rus.

Ai tha se parimisht është dakord që t’u kthejë një përgjigje atyre që hedhin baltë mbi figurën e tjetrit, por thekson se në kushtet kur pala tjetër nuk rresht së bëri akuza, atëherë nuk ia vlen që t’u kundërpërgjigjet. Sipas tij, kjo do të sillte mungesë shprese kur politika merret me njëri-tjetrin dhe jo me hallet e qytetarët.

“Nëse ky mulli bluan vetëm këtë lloj helmi nga mëngjesi deri në darkë dhe ne do i përgjigjemi nga mëngjesi në darkë, kur do kemi kohë për t’u marrë me njerëzit?”, shtoi Basha.

Në këto kushte, Basha pati një mesazh për demokratët. “Boll me thikën ndaj njëri tjetrit sepse na ka hyrë hasmi në shtëpi”, përfundoi ish kryedemokrati.