Nga Ylli Pata/
Sali Berisha dha sot një deklaratë, e cila përbën sipas gjasave, “lëkurën” e re që ai do të përdorë pas katastrofës së 14 majit. Duke ju referuar votave të Partisë Demokratike, që janë mbi 104 mijë në rangun kombëtar, doktori tha se ata janë vota të Sali Berishës. Në përgjithësi, qëndrimet, deklaratat, batutat, parashikimet apo analizat e tij, jo vetëm që nuk shquhen për koherencë por që fusin ujë thuajse menjëherë sa nxirren nga goja.
Megjithatë, qëllimi i përdorimit të këtij kontraversialiteti është mjaf diabolik. Për arsye se pikërisht ato vota, pra ato që ka marrë Partia Demokratike për Këshillin Bashkiak, janë pastërtisht vota të zjarrta kundër Sali Berishës. Ndërkohë edhe bojkoti i zgjedhësve të opozitës, apo edhe votat për kandidatët e foltores nuk se janë detyrimisht vota pro Berishës, por zgjedhjet këto janë, identifikohesh me subjektin, pavarësisht se realiteti është pak më ndryshe.
Dhe siç po shantazhon egër çdo zë afër mjedisit të tij që i kërkon të hapë rrugë më në fund, ashtu pritet të përdorë krejt në të kundërt narracionin e qartë, politik, që ra mbi të si një kamzhik fshikullues nga 100 mijë demokratë. Të cilët në pjesën më të madhe të tyre, janë anëtarë të strukturave historike të PD-së në të gjithë vendin, pra themelues të PD-së, votues që i përkasin grupit më klasik të së djathtës shqiptare: që vijnë nga familje të përndjekura nga komunizmi, ish-pronarë, e natyrisht rrethi i tyre i afërt familjar e miqësor. Siç ndodh gjithmonë, Berisha krijon një realitet krejt të kundërt me atë që është në të vërtetë, me synimin për të krijuar një ishull mistik, ku synon të fusë sa më shumë idhtarë të tij, që t’i mbajë të mpirë në një tregim sipas tij, e jo sipas asaj që ka ndodhur.
Por edhe këtë magji, pra atë të afrimit të idhtarëve e militantëve fanatike drejt një ishulli të askundit, Sali Berisha nuk e ka më. i ka rënë prej kohësh ajo fuqi, siç Spiderman-i ishte shpesh pa fuqitë e superheroit. Sali Berisha nuk është superheroi i militantëve të Partisë Demokratike. Përkundrazi ai është kthyer në një antihero në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. E këtë e tregon pa asnjë hezitim vota që i ka ardhur si shuplakë politike.
Gjithsesi, këto 24 orë, pas daljes në skenë të Lulzim Bashës po shikojmë një zhurmë të madhe. Ç’ka është e pritshme, e madje edhe normale që të shpërthejë diskutimi, debatet, kundërshtimet, inatet, mllefet, xhelozitë e të tjera sentimente krejt të natyrshme. Por ajo që bën çudi, është qëndrimi i asaj pjese të deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët tentuan hapur, e madje fort, për të dërrmuar partinë e tyre në zgjedhje, duke flirtuar incognito me foltoren e Sali Berishës.
Qëndrimi i tyre që PD-ja nuk duhet të ketë kandidatë më 14 maj, e thirrja për të votuar kandidatët e Bashkë Fitojnë, nuk është gjë tjetër veçse një lineim i qartë politik. Ata edhe pse nuk janë bërë anëtarë zyrtar të grupit të Berishës në parlament, politikisht i përkasin atij, edhe sepse kundërshtuan e rrëzuan qëndrimin zyrtar të trupës më legjitime të PD-së që është kolegji i kryetarëve. Pas 14 majit, u vërtetua ajo që dukej hapur e thjesht ai që e kundërshtonte, nuk donte ta shikonte. Që Nuk bëhet fjalë për një bashkim mekanik të foltores së Berishës me Partinë Demokratike zyrtare. Nëse nesër, do të ketë një proces të madh për një ribërje të opozitës shqiptare, ky është muhabet tjetër e kërkon mjaft salltanete për tu kryer.
Sot që flasim BF dhe PD janë dy grupe politike që prej dy vitesh konsiderohen më antagoniste me njëra-tjetrën. Madje edhe më antagoniste se me mazhorancën e Edi Ramën. Kjo sepse Sali Berisha, por edhe Ilir Meta, nuk e ka pasur synimin që të mundë PS-në e Edi Ramën më 14 maj. Ata kanë pasur qëllim që të mundnin PD-në zyrtare, siç bënë më 6 mars 2022 në Shkodër, me ndihmën e grupeve pranë mazhorancës, që pasi bënë një pakt mos-sulmimi alla Ribentrop-Molotov, kanë nisur t’i shigjetojnë që t’i përdorin si alibi.
E duke mundur PD-në, synonin të merrnin drejtimin e opozitës, duke e përdorur si karshillëk të qartë politik ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aq e vërtetë është kjo, sa kur fitoi Shkodrën më 6 mars, mediat pro tij nisën sulmin ndaj ambasadores Yuri Kim. “Hë çfarë do të thotë tani”, thirrën të gëzuar, a thua se Berisha kishte bërë ndonjë veprim si Gagarini apo Armstrongu që shkoi në Hënë. Ishte Berisha që e konsideroi riaktivizimin e tij politik pas largimit të shpallur si një sfidë. Të cilën e ka humbur, sado mundohet të prodhojë narracione paralele.
Por së bashku me humbjen e Berishës, ata që më shumë janë dërmmuar politikisht duket se janë deputetët që vendosën që partia e tyre ku bëjnë pjesë të mos votohet më 14 maj. E kur e bënë këtë, ç’punë kanë me Lul Bashën, apo debatin që po zhvillohet për këtë punë? Le të flasin demokratët e 14 majit, të cilët treguan realisht një sens coherence e pjekurie politike edhe më të mëdha. Kjo si në fushatën për tu mbrojtur nga agresioni politik i BF-së, por edhe në lëvizjet e tyre autonome për të mbështetur kandidatë të BF-së, të cilët nuk ishin konfliktualë me Foltoren apo mbanin lidhje me bazën, si Luçiano Boçi apo Igli Cara. Gjitsesi, të gjitha këto, janë pikërisht krerët e PD-së në 62 bashkitë e vendit që u takon t’i rrëfejnë. Së bashku me të vërtetat e panjohura të prapaskenave të deputetëve lëvizës.