“Gazzetta dello Sport” ka zbuluar këtë të premte emrin e trajnerit që do të pasojë Luciano Spallettin.
Sipas prestigjiozes italiane, bëhet fjalë për Rafa Benitez, i cili thuhet se nuk i ka shkëputur kurrë marrëdhëniet me presidentin e Napolit, De Laurentiis.
Siç është raportuar ditët e fundit, nga ana tjetër, marrëdhëniet mes Spalletit dhe De Laurentiis mbeten të ftohta për të mos thënë të ngrira.
Napoli rinovoi automatikisht kontratën e Spallettit, siç ishte dhe klauzola në kontratë. Spallettit iu komunikua nëpërmjet një letre, por kjo gjë nuk i pëlqeu aspak.
Kjo është arsyeja pse deri më sot nuk mund të përjashtohet që palët të vendosin të ndahen. Në skenë ka dalë emri i Benitezit.
Spanjolli, i cili ka drejtuar Napolin nga viti 2013 deri në vitin 2015, duke fituar një Kupë të Italisë dhe një Superkupë të Italisë, e njeh mirë mjedisin dhe ka përvojën e duhur ndërkombëtare për të tentuar Championsin, trofe që e ka fituar në të kaluarën si trajner i Liverpoolit.