Kandidati i çiftit Berisha-Meta për Bashkinë e Tiranës, Fredi Beleri është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Vlorës, me akuzën e korrupsionit në zgjedhje. I dënuar dy herë, i dyshuar për masakrën e Peshkëpisë, me arsim të dyshimtë dhe i skeduar për veprimtari antishqiptare, Fredi Beleri, me emër të ndryshuar në Dionisios Fredis Beleris, u kap në flagrancë duke blerë vota. Beleri dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 328 dhe 25 të Kodit Penal. Për këtë vepër penale, parashikohet një dënim nga një vit deri në pesë vjet burg.
Veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje, parashikuara në nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal, janë në kompetencë të SPAK-ut dhe Gjykatave të Posaçme. Në vitin 2020, me këmbënguljen e Partisë Demokratike, në atë kohë me në krye Lulzim Basha, Kuvendi ndryshoi nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, duke shtuar si kompetencë të SPAK-ut edhe korrupsionin zgjedhor. Kalimi i korrupsionit zgjedhor në duart e SPAK u miratua me qëllim për të garantuar ndëshkimin e personave të përfshirë në shitblerje votash, meqenëse SPAK gëzon një besim më të madh se sa prokuroria e juridiksionit të zakonshëm.
Bazuar në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria e Vlorës duhet të referojë në SPAK dosjen penale të Fredi Belerit. Do të jetë prokurori i çështjes në SPAK, ai që do të vlerësojë më tej provat, vijimin e hetimeve dhe referimin e dosjes në gjykatë. Nëse Beleri do të shpallet fajtor me një vendim të formës së prerë, ky do të ishte dënimi i tretë për të. Beleri është dënuar me 18 muaj burg për armëmbajtje pa leje si dhe me 3 vite burg për thirrje për urrejtje nacionale dhe poshtërim të simboleve kombëtare.
Ndërkaq, është e paqartë se si do të procedojë KQZ-ja në këtë rast. Është një rast i paprecedentë që kandidati për kryetar bashkie arrestohet dy ditë para datës së zgjedhjeve, në kushtet kur të gjitha materialet zgjedhore, që nga fleta e votimit, janë përgatitur për një garë mes dy kandidatëve.
Kodi i Procedurës Penale, korrupsioni zgjedhor në kompetencë të SPAK-ut
Vepra penale për të cilën akuzohet Fredi Beleri