Nga Klevis Bakillari
Fatmirësisht fushata për zgjedhjet lokale duket me elemente të forta politike. Kjo është shenjë se data 14 Maj do të jetë një ‘deadline politik’ për kampin opozitar. Tregon se kampi opozitar është i frikësuar. Klith e bërtet. Ata do të donin që fushata të zgjaste edhe me vite që të mund të bënin përsheshin e tyre në sheshet elektorale. Po të mos ishte e tensionuar politikisht, duhet të trembeshin qytetarët për rëndësinë e saj!
Nëse duhet të ecim me hapin e kohës dhe të ndërrojmë modelet politike duke kërkuar zgjedhjen më të mirë, padyshim duhet të kishim debate publike të kandidatëve. Kandidatët socialistë refuzojnë debatet me kandidatët e opozitës. Përsëri lajm i mirë që na thotë se koha e estradave dhe e humorit të zi ka mbaruar.Cilët kandidatë të dëgjojmë?! Si mund t’i tregohet sesi janë bërë punët,një të pa afti?! Si mund t’i jepet llogari një hajduti?! Si mund të të degjojë një kukull?! Cila është oferta e fundit e opozitës moniste?! Kandidatë të ‘vdekur politikisht’, riciklime, kukulla naive apo personazhe që s’mbahen mend për ndonjë punë! Askund! Prandaj është tepër pozitive dhe e thjeshtë për qytetarët, të kuptojnë negativitetin, klithmat, mllefet e kandidatëve opozitarë duke i lënë të lirë në habitatet e fundit elektorale.
Fushata e Shkodrës duket pak atipike. Duket e tillë për modelet e deritanishme shqiptare,por në të vërtetë është një dukuri jashtëzakonisht e duhur zgjedhore. Aq më tepër që po zhvillohet në dhe për djepin e kulturës shqiptare. Atipike edhe qetësia e kandidatit opozitar. Nuk dalin llogaritë në mbështetjen qytetare?! Ndihet humbja?! Apo apati përballë projekteve transformuese të kandidatit socialist?! Kjo është një fushatë me tone të larta politike dhe qetësia e Shkodrës përbën një antidot të fortë. Në heshtje, duket sikur antikomunizmi monist 30 vjeçar i PD, është drejt fundit. Fushata lokale e Shkodrës e reflekton qartë këtë! Duket që ka një refleksion i cili i ndihmuar prej qytetarisë shkodrane ka prodhuar një fushatë model. I vetmi që i mbanë ndezur djallit psikik, flakën e qiriut të fundit,është ish KM. Sepse i duket Shkodra një ‘Saligrad’.
Për fat të keq Shkodra ka mbetur pellg i djallit psikik të antikomunizmit. Zhvillimi i Shkodrës, për shkak të resurseve të shumëllojshme, është proçesi më i lehtë që një qeveri apo një kryebashkiak mund të bëjë. Por duhet ta dijë sesi bëhet! PS e ka trajtuar me kujdes betejën për Shkodrën dhe ka privilegj të përfaqësohet prej një kandidati ekspert i punëve publike. PS dëshiron paqen në Shkodër dhe bashkë më të edhe zhvillimin. Nuk do luftën politike jo sepse nuk e ka potencën por, sepse do të tjetërsojë Shkodrën ekonomike dhe Shkodrën turistike.Nëse PS do të synonte vetëm dëbimin e djallit psikik dhe si rrjedhim fitoren politike në Shkodër, arëherë do kandidonte shkodranë me profil të lartë politikë të cilët i ka në gjirin e saj. Shkodra,s’duhet të harrojmë se është e prapambetur në infrastruktura sepse vetë demokratët për 8 vite nuk realizuan asnjë transformim por vetëm furnizuan Shkodrën me ‘municione psikike antikomunizmi’ që nuk prekën kurrë materialisht ,jetët e banorëve të saj!
PD është sot përgjegjësja e parë përse Shkodra e ka humbur ritmin me Bashkitë e tjera që konsiderohen qëndra rajonale si Vlora, Korça apo Berati. Përderisa nuk solli efektivitet binomi demokrat qeveri- bashki, si mund të sjellë rezultat më të mirë një tjetër binom?! Binomi demokrat ishte vetëm një penalizim për zhvillimin e asaj Bashkie. Ndaj nuk ka asgjë për të pritur përveçëse ,të kalohet në binomin e punëve dhe qetësisë publike. Profili i kandidatit socialist e tregon qartë se PS dëshiron vetëm të punohet në Shkodër! Të bëhet Shkodra kryeqëndra e Veriut, një konkuruese ekonomike me të tjerat Bashki dhe një magnet turistik. Shkodra do të zgjedh atë që u jep zgjidhje problematikave dhe menaxhimit të përditshëm të qytetit. Qytetarët presin Shkodrën të radhitet mes më të mirave!