Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare Llambi Gegprifti, ish-ministër dhe ish-kandidati i Byrosë Politike të Partisë së Punës.

Gegprifti ka mbajtur poste të rëndësishme gjatë periudhës komuniste si zëvendës ministër i Mbrojtjes dhe më pas ministër i i Industrisë dhe Minierave në qeverinë e parë të kryeministrit Adil Çarçani.

Në Shqipërinë post-komuniste, Gegprifti u dënua me 20 vite burg për aktivitetin e tyre gjatë diktaturës.

Lajmin për ndarjen nga jeta të tij e ka bërë me dije vazja, Sonila Qato.

Llambi Gegprifti! Lamtumirë babi ynë i shtrenjtë! Në këtë ditë të bukur fillim maji ti mbylle sytë përgjithnjë, duke na hidhëruar zemrën, për të qenë i pavdekshëm për ne vajzat e tua, mamin, niperit e mbesat. Na ke lënë pas pasurinë më të madhe, jetën tende të ndershme, emrin tënd që na ka bere gjithnjë të ndihemi krenare! Lamtumirë babi ynë i shtrenjtë”, shkruan ajo në rrjetet sociale.

Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet ditën e martë në orën 13:00 në varrezat e Sharrës. Ndërsa ceremonia mortore so të zhvillohet sot dhe nesër në ambientet e “Funeral Home Alba”.

Llambi Gegprifti lindi më 14 shkurt 1942, në Pogradec. Ai ishte ish-politikan shqiptar dhe kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qarkut të Tiranës nga viti 1986 deri në 1987 dhe nga 1989 deri në 1990. Ai ka qenë kandidat -anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë për vitet 1971, 1976, 1981 dhe 1986.

Në korrik të vitit 1974, Gegprifti u zgjodh zëvendësministër i Mbrojtjes. Së bashku me Hekuran Isain, Pali Miskën dhe Qirjako Mihalin ishte një nga drejtuesit e gjeneratës së re brenda Partisë së Punës të Shqipërisë. Në vitin 1978 zgjidhet anëtar (përfaqësues i Qarkut të Pogradecit) dhe deputet i parë i Kuvendit Popullor. Më 15 janar 1982 emërohet Ministër i Industrisë dhe Minierave në qeverinë e parë të kryeministrit Adil Çarçani, detyrën e mbajti deri më 23 nëntor 1982.

Nga 20 shkurt 1987 deri më 2 shkurt 1989 ishte sërish ministër i Industrisë dhe Minierave në Qeverinë e tretë Çarçani. Më 13 dhjetor 1993 ai është dënuar me 8 vjet burg nga një gjykatë speciale në Shqipërinë postkomuniste për “shpërdorim fondesh”. Ai kreu vetëm një vit burg dhe u lirua nga Gjykata e Apelit më 30 nëntor 1994. Gegprifti u largua nga Shqipëria në vitin 1995.

Më 29 shtator 1996, Gjykata e Rrethit të Tiranës akuzoi nëntë ish-drejtues të PPSH- së se “kanë kryer krime kundër njerëzimit në bashkëpunim me njëri-tjetrin”, konkretisht “…duke qenë në poste të larta partiake dhe shtetërore, kanë vepruar jo në bazë të ligjit. por kanë kënaqur pasionet dhe udhëzimet e tyre të padrejta”.