Tirana dhe Bylis luajnë nesër në 16:00 për javën e 35-të dhe të parafundit në Superligë. Dueli i “Arena Egnatia” në Rrogozhinë mirëpret këtë duel, me bardheblutë që janë në vendin e parë me dy pikë më shumë se Partizani. Tanimë Tirana nuk kërkon të bëjë hapa fals, duke dashur që nesër të vendosë një dorë mbi titullin kampion.
Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i Tiranës. Orges Shehi tha se nuk mund t’ia lënë fatit në dorë çështjen e titullit, teksa përmendi edhe dëmtimet. Behiratche është rikthim me rëndësi për bardheblutë.
“Është ndeshja e parafundit e kampionatit pas një rrugëtimi të gjatë dhe që të shkosh deri në fund duhet të kalosh dy pengesa. Një është e nesërmja, na duhet të jemi gjakftohtë dhe të uritur për çdo situatë që mund të na sjellë loja duke e ditur që janë shumë pak minuta deri në fund. Nuk ka kohë për të rikuperuar gabimet, këto ditë kemi rikuperuar energji pas ngjeshjes së kampionatit dhe pjesa më e madhe e lojtarëve tanë, janë ata që hidhen në fushë. Kështu rikuperim, përqëndrim dhe vlerësim për ndeshjen e nesërme”, tha fillimisht Shehi.
Durrsaku kërkoi maksimumin nga të tijtë në përballjen e nesërme kundër Bylisit, duke thënë se nuk duhet t’ia lënë në dorë fatit.
“Ne do të bëjmë maksimumin dhe më të mirën, pastaj fati është i rëndësishëm kudo dhe jo vetëm në lojë. Është e gabuar që të shkosh në një betejë dhe t’ia lesh në dorë fatit. Tani ndeshjet janë afër, fokusi është përqëndrimi dhe nuk ka nevojë për të ulur impenjimin dhe seriozitetin, pasi për 5 ditë mund të marrim për atë çfarë kemi punuar në të gjithë vitin. Nuk duhet të mungojë serioziteti dhe gatishmëria në ditët e mbetura”, tha Shehi.
Trajneri foli për gjendjen e ekipit, duke konfirmuar pagesën për dënimin e Behiratches. Mbrojtësi pritet të rikthehet në formacion.
“Gjendja është po e njëjtë, Lushkja mungon, për Behiratchen pritet të paguhet gjoba dhe pjesa tjetër është e njëjtë si në ndeshjen e fundit. Edhe kundërshtari do të bëjë më të mirën e vet për t’u ngjitur në renditje, ka kualitet në skuadër, presim ditën e nesërme për të parë se çfarë do të prodhojë fusha”, tha trajneri.
Orges Shehi foli edhe për rivalët, duke thënë se mendonte se edhe Vllaznia do ishte në garë për titullin kampion.
“Çdo skuadër ka objektiva, por ne shohim punën tonë. Ne e kemi në dorën tonë. Nuk di të ketë ndeshje të lehta, ne i dimë forcat dhe uljet e veta kështu që nuk mund të them kush ka përballje më të forta. Ne jemi gjithmonë konkurrentë, por kemi pasur probleme me lojtarët, largime, dëmtime. Në fillim mendoja se do të ishte dhe Vllaznia afër nesh dhe nuk është një garë treshe por dyshe me dy skuadra që kanë investuar për të qenë këtu ku janë”, deklaroi durrsaku Shehi.