13 vite pritje për të shijuar një tjetër finale të madhe. Inter rikthehet në majën e Evropës, rikthehet të përjetojë emocionet e finales së Champions League, për më tepër kjo është një finale me shijë të veçantë pasi likuiduan rivalët e përjetshëm, Milanin. Euroderbi nuk kishte shumë histori, i dominuar totalisht nga zikaltërit, me djemtë e Inzaghi-t që kalojnë më tej pas suksesit të pastër 3-0 në dy përballjet direkte.

Pioli shpresonte që rikthimi i Leao-s t’i jepte Milanit një marsh më shumë, por as portugezi nuk arriti të bënte diferencën. Në minutën e 10-të, “djalli” kishte shansin e artë t’i jepte kësaj përballje një tjetër rrjedhë, por Diaz me një penallti në lëvizje nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë.

Në të vetmin rast të pastër, të krijuar nga vetë Leao, portugezi flirtoi me golin, por e majta e tij shkoi ngjitur me shtyllën pingule. Një minutë më pas ishte Maignan u tregua reflektiv duke mbajtur Milanin në lojë, pas një goditje me kokë të Dzeko-s.

Në pjesën e dytë, në minutën e 74-ët, Interi gjeti golin e avantazhit me kapitenin Martinez duke hedhur në tapet Milanin. Kjo ishte hera e 6-të në histori që Inter shkon në finalen e Champions League.

“Amala”, duaje, shkruan Corriere dello Sport në faqen e parë. “Inter në delir”, ishte titulli kryesor i La Gazzetta dello Sport.